Efektet e alarmit të Thaçit
Maqedonia sapo doli nga qerthulli i krizës politike dhe institucionale. Duket se alarmi i Menduh Thaçit dha efekte pozitive. Gjashtë kërkesat shqiptare të vendosura për zgjidhje provokuan jo thjeshtë krizë politike, por edhe paralizë institucionale. Kjo alarmoi shumë politikanë, diplomatë, vëzhgues, analistë, që nisën të japin vlerësime nga më të ndryshmet. Vendosja e kushtit shqiptar në prag të Samitit të Bukureshtit e vendosi profilin e politikanit me eksperiencën më të gjate ndër shqiptarë në një pozicion tejet delikat. Në parim, te skeptikët ekzistonin të dyja anë e medaljes: edhe të fitonte në këtë betejë demokratike, por edhe të humbiste. Duhet thënë se nxitimthi nuk u morën për bazë disa detaje tejet të rëndësishme. Thaçi, si nuhatës i talentuar, si faktor me eksperiencë të gjatë politike, si personazh që nuk e kursen veten nga rreziqet, nuk hyri në betejë për vete dhe i vetëm. Në këtë kuptim, askush nuk mund të thoshte se ai, përmes alarmit të kushtit shqiptar, vendosi një minë me sahat në shtyllat e drunjta të Maqedonisë. Pse? Për shkak se kërkesat e shtruara për zgjidhje e kishin gjenezën këtu e 17 vite më parë dhe mosdurimi ndaj kërkesave legjitime të shqiptarëve, mos gatishmëria për të respektuar deri më një Marrëveshjen ndërkombëtare të Ohrit, presioni i vazhdueshëm që vinte nga anash, mungesa e kurajos për të plotësuar standardet e mbanin Maqedoninë të gozhduar. Në këtë kontekst, problemi nuk ishte lideri i PDSH-së, por anashkalimi i standardeve.
Megjithatë u dhanë shumë vlerësime, u ngritën mjaft hipoteza, por nuk u mor për bazë standardi, pika më e fortë që e shoqëronte liderin e PDSH-së në betejën demokratike. U tha se është një strategji për t'u karikuar partiakisht, se kishim të bënim më një manovër për të përfituar politikisht, apo është pretenduar se gjetja e kohës është e pafavorshme dhe ngre shumë dilema. Tashmë kur beteja rezultoi me Marrëveshje për gjashtë kërkesat, vijmë në konstatimin se fituan standardet.
Gjithçka u zhvillua brenda kornizave të standardeve të fushës demokratike. Sikurse gjashtë kërkesat e shtruara për zgjidhje nga ana e liderit të PDSH-së, ishin kërkesa katërcipërisht demokratike, kombëtare dhe të rranguara si prioritete nga faktori ndërkombëtar. Pra, procesi zhvillohej brenda konceptit demokratik, ku me pak vullnet politik, statusi i shqiptarëve të Maqedonisë do të ndryshojë e bashkë me të edhe Maqedonia po merr tjetër fizionomi. Me një fjalë, kërkesat e PDSH-së, nuk duheshin dhe duhen kualifikuar si manire për të shtuar kapitalin politik, por si realitete objektive të një populli që kërkon të drejtat e tij konform standardeve dhe detyrave të shtëpisë që kishte lënë faktori ndërkombëtar në tavolinën e qeveritarëve dhe shtetarëve. Gjithsesi, ka një të vërtete në këtë histori: Thaçi u kap fort pas standardeve, meqë përmes tyre aktivizoi instrumentet demokratike për të paralajmëruar se: licenca për në NATO nuk është aq e kollajshme sa mund të pandehë dikush.
Me fjalë të tjera, Menduh Thaçi arriti dy efekte: përmes gjashtë kërkesave të shoqëruara me largimin nga qeveria, la të kuptohet se kërkesat legjitime të shqiptarëve nuk mund të tirren pafundësisht, por kërkohen afatizime konkrete me prezencë ndërkombëtare dhe, e dyta, po aq e rëndësishme, kreu i PDSH-së denoncoi devijimin e institucioneve shtetërore nga agjenda e standardeve të kërkuara nga komuniteti ndërkombëtar. Me thelbësorja, shfrytëzimi i një momenti sublim për të ardhmen e Maqedonisë ishte hapi i guximshëm në momentin e duhur. Në këtë kuptim shtrohet pyetja, a po kthehej alarmi i Thaçit në telash për të ardhmen e Maqedonisë? Përgjigja duhet kërkuar në disa pista. Pikësëpari, gjashtë kërkesat e PDSH-së të afirmuara në një moment të tillë, lanë hapësirë për paragjykime të natyrës plangprishëse. E gjithë lëvizja e Thaçit ishte konform pistës demokratike. Fundja, ikja, apo qëndrimi në qeveri, është një e drejtë legjitime dhe demokratike e çdo subjekti politik. Së dyti, kushtet e vendosura ishin në frymën e kërkesave të vazhdueshme të faktorit ndërkombëtar, në atë që quhet "pako e standardeve" që duhet të plotësonte Maqedonia për të aderuar në NATO. Së treti, realizimi i gjashtë kërkesave shqiptare ishte imperativ i kohës dhe çdo vonesë do ta sanksiononte Maqedoninë në çdo aspekt. Së katërti, Thaçi u tregua transparent dhe i hapur, duke e zhveshur realitetin e të nesërmes: pa implementimin e kërkesave shqiptare, Maqedonia në pikëpyetje, d.m.th., lideri i PDSH-së u parapriu telasheve duke mos dashur të jetë pjesë e tyre. Kjo është njëra anë e medaljes, sepse, për hir të së vërtetës, këto gjashtë kërkesat prodhuan edhe ç'ekuilibrime në sfondin e politikës ditore. Fatkeqësisht, korpusi politik shqiptar jo vetëm që nuk u unifikua për kërkesat, por shkapërderdhja zuri vendin kryesor në formatin e politikës ditore. Nëse për shkak të kopsitjes demokratike të kërkesave dhe legjitimitetit të tyre faktori ndërkombëtar mirëkuptoi liderin e PDSH-së, fatkeqësisht, ndaj tij u shtuan dhe vazhdojnë zërat kritikë nga oponenca politike. Sipas të gjitha gjasave, opozita shqiptare e ndodhur në befasi, preferoi që të marrë rolin e spektatorit ditët e para, por më vonë u pozicionua në revanshizëm. Asnjë argument nuk do ta justifikonte qëndrimin e këtyre ditëve të BDI-së, e cila mundohet të shpëtojë një marrëveshje pa nam e nishan siç pretendohet ajo e majit. Gjashtë kërkesat që avancojnë statusin e shqiptarëve në institucionet e sistemit e kapërcejnë pragun e përfitimit të politikës ditore të kujtdo qoftë partie.
Përfundimisht, alarmi i Menduh Thaçit për të korrigjuar përfundimisht padrejtësinë ndaj popullit shqiptar peshoi shumë më shumë sesa rrekja për ta shantazhuar këtë aksiomë. Sikundër të gjitha vicklat që vinin nga një pjesë e palës maqedonase, gjoja për një telash më shumë, nuk ishin gjë tjetër veçse ikje nga përgjegjësia. Implementimi i gjashtë kërkesave shqiptare të promovuara me marrëveshjen Thaçi- Gruevski, përveçse krijojnë balance institucionale dhe shoqërore, nga ana tjetër garantojnë siguri, progres dhe stabilitet afatgjatë për Maqedoninë dhe rajonin. E kundërta mund të ishte e zymtë.