E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shteti i falenderimeve

 

 

Ndër gjërat që ranë më shumë në sy, gjatë menaxhimit të katastrofës së Gërdecit, kanë qenë lëvadatat dhe falenderimet që pushtetarët i bënin njëri-tjetrit dhe faktorëve të tjerë ndihmës në këtë proces, për shpëtimin e jetës së njerëzve. Kryeministri Berisha, që ditën e parë, pa u marrë vesh mirë se çfarë kishte ndodhur, pa pasur asnjë bilanc, ka falenderuar "personelin mjekësor për gadishmërinë e treguar në trajtimin e të plagosurve", edhe pse zanati i mjekut në thelbin e tij ka pikërisht emergjencën; Ish Ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka nxituar të falenderojë vartësit e tij që po bënin detyrën, edhe pse trupat ushtarake ekzistojnë dhe paguhen, në kohë paqeje, pikërisht për këtë punë; kryetarja e parlamentit Jozefin Topalli ka shkuar më tej në emocionet e saj tek i ka cilësuar heronj trupat tona ushtarake, mjekët, policët etj., ndonëse asnjëri prej tyre nuk ka dhënë jetën në detyrë, ndërsa secili prej tyre, të shumtën, ka bëtë detyrën që duhet; të njëjtën logjikë kanë përdorur drejtuesit e tjerë të dikastereve.

Seanca parlamentare ku u paraqit kryeministri Berisha e ka demonstruar në mënyrën më banale këtë logjikë të ndërtimit të shtetit. Pas Kryeministrit, disa ministra me radhë kanë bërë panoramën dhe falenderimet e radhës për vartësit e tyre, në menaxhimin e post tragjedisë. Hipokrizia ka shkuar në atë shkallë sa asnjëri prej tyre nuk ka përmendur shkaqet e katastrofës (kujtojmë këtu se qeveria funksionon në mënyrë kolegjiale dhe për ngjarje të tilla mbajnë përgjegjësi politike edhe ministrat që nuk janë të linjës).

Gërdeci është rasti më klasik i vrasjes shtetërore, me përmasa të mëdha. Pse jo, është një krim kundër njerëzimit. Një grup kriminalka kryer veprimtari korruptive, të rrezikshme, duke e ditur se është e tillë, pasojë e së cilës janë dhjetra të vrarë, qindra të plagosur dhe milona pasuri të shkatërruara. Kjo "fatkeqësi në korrupsion" ka zbuluarthelbin e sistemit që po ndërtohet prej 17 vitesh në Shqipëri. Pjesë e këtij lloj sistemi janë faktorë të rëndësishëm të të gjithë spektrit politik shqiptar dhe kjo duket të jetë arsyeja e mosndëshkimit të krimit dhe mafies ekonomike që vazhdimisht ka bërë ligjin. Shqipëria qeveriset jo nga klasa politike, e zgjedhur me votë, por nga segmentet informale, të krijuara artificialisht, në bashkëpunim me kupolën e politikës të korruptuar. Nuk është rastësi që protagonistët kryesorë të krimit ekonomik, dalin bashkëpunëtorë të ngushtë të të dy kampeve politike, krijohen në kohën e njërit dhe vegjetojnë në kohën e tjetrit. Nuk është rastësi që politikanët përkatësisht të të dy krahëve, që bëjnë sikur zihen në parlament, futen mik te njëri-tjetri për të favorizuar krimin ekonomik. Politikanët shqiptarë ndahen në llafet publike por bashkohen në një pikë: në lidhjen e tyre me segmentet më përfaqësuese të krimit ekonomik.

Shqiptarët vazhdojnë të jetojnë në kushtet e mungesës së plotë të sigurisë, pa pasur të garantuar as të drejtën më themelore, atë për të jetuar. Diktatura ideologjike është transformuar në diktaturën ekonomike, ose një lloj diktature të butë, të vendosura nga segmentet informale "paramilitare", në bashkëpunim me mafian shtetërore. Në diktaturat ekstreme, e para gjë që duhet mësuar është se çfarë lejohet, në mënyrë që të mos përfundosh në burg, ndërsa në demokraci e para gjë që duhet mësuar është se çfarë nuk lejohet, në mënyrë që të mos shkelësh liritë e të tjerëve, dhe aq më pak të mos cënosh jetën e të tjerëve. Në sisteme të paorientuara, si ky që po ndërtohet në Shqipëri, ku nuk dihet se kush drejton dhe çfarë bën, pra, në diktaturat e buta, të cilat varësisht nga konteksti ndërkombëtar, mund të anojnë kah diktaturat e egra ose nga anarkitë, njerëzit nuk marrin vesh as çfarë lejohet e as çfarë nuk lejohet.

E para gjë që nuk lejohej në rastin e Gërdecit ka qenë ndërtimi i një fabrike për çmontimin e municioneve të rrezikshme, vrasëse, në mes të një zonë shumë të populluar. Po ti bashkosh faktet e dala deri tani, dhe po të bësh një analizë të thjeshtë, rezulton se pjesë e drejtimit të korrupsionit shtetëror me përmasa të mëdha, që sollën katastrofën është kupola e sotme qeverisëse e drejtuar nga kryeministri. Mjafton të përmenden të paktën dy fakte: së pari, djalii kryeministrit Berisha, ka pranuar se është takuar me një prej biznesmenëve që ka qenë përfaqësues i kompanisë amerikane, fituese e së drejtës për të bërë tregëtinë e ligjshme të armëve për në Afganistan, i cili e akuzon se ka orientuar procesin e paligjshëm; dhe së dyti, ndër viktimat e tragjedisë së Gërdecit figuron edhe baxhanaku i kryeministrit, për të cilin thuhet se ka pasur një rol të rëndësishëm në fabrikën e vdekjes. Është e kotë të besosh se reformimi i institucioneve të sigurisë do ta zgjidhte problemin, sa kohë që mungesa e sigurisë nuk vjen thjeshtë prej mosfuksionimit të këtyre institucioneve, po prej kapjes së tyre nga mafia shtetërore, prej diktimit të ardhur nga lart.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›