E Diel, 1 Nëntor 2026

Rripa dhe breza

Janë ca ngjarje të jashtëzakonëshme si ajo e Gërdecit, që shërbejnë si katalizatorë të fuqishëm; krahas mëkateve të organeve e institucioneve shtetërore zbulojnë edhe cilësitë tona si shoqëri qytetare: solidaritetin amorf, pakënaqësinë e çoroditur, udhëtimin rrethor, grotesk, pa zhvendosje reale nga një gjendje e ulët, në një nivel më të lartë të shprehjes në formë të kulluar të asaj që përbën shpirtin dhe zërin e pavarur të qytetarisë, në një çast të dhënë historik. Për të qënë më i drejtpërdrejtë, mund të them qysh në krye se u vërejt një shpërpjesëtim shqetësues midis masës së madhe të njerëzve që donin të shprehnin me ritualin e shëtitjes së heshtur dhe ndezjen e qirinjve bashkëvuajtje dhe mbështetje me viktimat e tragjedisë dhe atyre që e vunë në jetë këtë dëshirë, atyre që shkuan në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" dhe... hollësitë dihen nga kronikat televizive. Kishte pjesëmarrje, kishte qytetari dhe masivizëm, por jo aq aq sa meritohej në një ditë zie e solidariteti mbarëkombëtar. Jo vetëm prej këtij rasti, besoj se varfërinë e protestave qytetare te ne dhe cilësinë e pamjaftueshme të tyre e mban peng, në kostumin e saj të vjetëruar, kasta e lartë e politikës partiake. Të gjitha partitë politike që kanë pasur pushtet ekzekutiv te ne, të gjitha partitë që veprojnë dhe konkurrojnë për pushtet te ne, nuk të japin dorë të shpresosh dhe aq shumë. Të paktën nga viti '91 deri më sot, fjala "zhgënjim" është kryeradha e çdo komenti politik, e çdo bisede intime, e çdo lajmi mediatik. Nga njëri vit në tjetrin, nga njëra legjislaturë në tjetrën, nga fushata në fushatë gjithmonë e më pak kemi kërkuar nga të zgjedhurit tanë, në vend që të kërkonim gjithmonë e më shumë prej tyre. Pavarësisht se për kë kemi votuar privatisht, secili nga ne nuk ka pritur nga subjekti i tij politik më të mirën e mundshme, por është ngushëlluar se me pushtetarët e rinj "inshalla punët do shkojnë mbase jo aq keq sa me të mëparshmit". E përkthyer në shembuj konkretë, sa për ilustrim, do të kujtonim se në radhët e para të atyre që udhëtuan në heshtje dhe protestuan për Gërdecin para Kryeministrisë, krahas ndonjë fytyre të re, shpresëdhënëse, qëndronin hijerëndë edhe figura të sprovuara në beteja (disfata) politike; njerëz të shquar publikë e partiakë që pakënaqësia masive popullore i ka përzënë disa herë nga pushteti dhe zyrat e shtetit, qoftë me votë të lirë, qoftë me greva e demonstrata të fuqishme, qoftë dhe me turma të eksituara haxhi-qamiliste. Kjo pjesë politikanësh në krahun e majtë, meqenëse ata janë në opozitë sot për sot, dashur padashur vepron si anestezi sociale, legjitimon pasivitetin dhe indiferencën qytetare e intelektuale ndaj lajthitjeve, abuzimeve apo gafave të pushtetit.

Ne që e pranojmë divorcin brenda familjes, pas një zhgënjimi a disa mospërputhjeve ndahemi nga të zgjedhurit tanë përjetë, pranojmë të distancohemi pakthyeshëm nga njëri-tjetri edhe kur jemi prindër, edhe kur kemi midis fëmijësh bukur dhe kujtime të vyera, si të mos e pranojmë divorcin me "të zgjedhurin e parë" në politikë, me idhullin e parë, me prestigjatorin dhe iluzionistin e parë të cirkut politik. Aq më keq kur ka qëlluar të jetë mashtrues dhe marifetçi i rëndomtë. Ne, që nga profesorët e universiteteve deri te analfabetët e llagëmeve, e kemi bërë me kohë atë divorc por ata të shtabeve qendrore të politikës nuk duan ta pranojnë, vazhdojnë pjesërisht ose kryesisht me të njëjtën ofertë drejtuese. Ne abstenojmë, emigrojmë, arratisemi në kufi ose mbyllemi në kafene duke pirë a duke u zgërdhirë dhe shpërblehemi me ato qeverisje që kemi pasur, me ato tragjedi që kemi kaluar, me atë varfëri dhe amulli që na ka rënë në pjesë, me ato padrejtësi dhe ngjarje skandaloze që na godasin përditë.

Me largpamësinë dhe hidhësinë sarkastike që e karakterizonte F.Konica në ditët euforike të pavarësisë së shtetit të ri shqiptar parashikonte se bërja e Shqipërisë do të ndodhte në fakt pasi të bëheshin shqiptarët. Në një rast tjetër, sikurse dihet, shprehet se te ne, në shoqërinë shqiptare nuk ka brezni moshash por njëtrajtshmëri, njerëz që kanë lindur më shpejt dhe të tjerë që kanë lindur më vonë. Nuk kemi çfarë t'i kundërshtojmë këtij konstatimi profetik. Do të shtonin pas një shekulli se kemi sot institucione të vjetëruara e të kompromentuar të politikës zyrtare; institucione të kompromentuara të shtetit; institucione të vobekta të organizimit qytetar. Nëse jemi demokraci do të diktonte shumica. Shumica jonë është e virtytshme. Shumica jonë do punë dhe drejtësi; do paqe sociale dhe përparim; shumica e shoqërisë shqiptare jemi ne që kemi humbur prej cinizmit amoral të historisë në këto vite torturuese të tranzicionit; shumica jemi ne, që nuk jemi përfitues prej rrethanave e mikroklimave politike; valët e revolucioneve, demokratikë a bolshevikë qofshin ata, nuk na ka ngritur qyl në majë të Olimpit; shumica jonë ka të drejtë të kërkojë llogari me zë të lartë, të fuqishëm. Ka të drejtë të zgjedhë atë që i shërben më mirë.

Por nuk ndodh tamam kështu. Dhe marshimi ynë kundër asaj që nuk na duket e denjë dhe e merituar, është si një vrapim shpejtësie duke rendur vetëm me një këmbë. Ka njerëz të mrekullueshëm te ne, ka mendimtarë të mirë, të lirë, të pavarur; qytetaria nuk e do të padrejtën, të rrejshmen, të gabuarën; ka prurje të reja njerëzore dhe intelektuale në vendin tonë por asnjëherë nuk shprehemi sa duhet. Në nivel organizativ, asnjëherë nuk arrijmë të jemi vetvetja, të bëhemi faktorë. Frika se mos çojmë ujë në mullinjë e vjetër na bën indiferentë. Brezi i ri, (brezi im), nga droja e natyrshme se mos shërben si rrip mezi për pantallonat e varura legenit të veteranëve, fjalën e tij të kulturuar, të moralshme e redukton në psherëtimë, e katandis fuqinë e tij madhore në pasthirrmë dëshpërimi e përçmimi njëkohësisht.

 

Ne abstenojmë, emigrojmë, arratisemi në kufi ose mbyllemi në kafene duke pirë a duke u zgërdhirë...

 

Brezi i ri, nga droja se mos shërben si rrip mesi, fjalën e tij të moralshme e redukton në psherëtimë...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›