E Diel, 1 Nëntor 2026

Efektivi i plagosur në krye të detyrës, familjarët: I lutemi Zotit që ta shpëtojë

TIRANE- Korridore të gjatë dhe të ftohtë, që shpesh fshehin dhe mbartin dhimbjen më të madhe njerëzore. Muret dhe dyert e Spitalit Ushtarak janë ndoshta muret që kanë dëgjuar më shumë lutje nga mijëra njerëz që kanë kërkuar shpëtimin e jetëve të të afërmve të tyre. Por ditën e djeshme ata kanë dëgjuar të qarat e një vajze fare të vogël, e cila kërkon shpëtimin e babait të saj. Është 12 vjeç dhe është vajza e efektivit të policisë, Prengë Lleshaj, i cili po lufton me jetën dhe vdekjen në sallën e reanimacionit. Askush nuk është aq i fortë për të mbajtur lotët përpara të qarave dhe lutjeve të vogëlushes, për shpëtimin e babait të saj. Pranë saj qëndron e ëma dhe të afërm të tjerë, të cilët duken se nuk janë aq të fortë përballë lotëve të 12-vjeçares, e cila pret jashtë derës ndonjë lajm se "babai i saj është jashtë rrezikut për jetën". Por plagët duken se po tregohen pa shpirt dhe mjekët nuk po e thonë atë fjali, që aq shumë pret ta dëgjojë vajza dhe djali i 45-vjeçarit, por edhe bashkëshortja dhe vëllezërit e tij. "Shpresojmë vetëm që Zoti të mund të bëjë ndonjë mrekulli, vetëm ai mund ta shpëtojë Prengën", pohon për "Gazetën Shqiptare" vëllai i efektivit të policisë.
Si e mësuat lajmin për plagosjen e vëllait tuaj?
E mësuam nga televizori, tek "News 24" e kemi parë. Po shikonim "Big Brother", por na kishte zënë gjumi me televizor ndezur. U ngritëm dhe para se të flinim po kontrolloja televizorin, kur pashë tek "Neës"-i se ishte plagosur një efektiv policie me iniciale P.Lleshi. Më shkoi direkt mendja, i binim telefonit nuk na e hapte dhe e kuptuam se i kishte ndodhur diçka dhe u nisëm për në Tiranë.
Si është gjendja e tij shëndetësore?
Mjekët na kanë thënë se ende nuk e ka kaluar gjendjen kritike, po kaluan këto 24 orë, ka shumë shpresa që të shpëtojë. Prenga ka shumë dëmtime në trup, ka këmbët e thyera, probleme tek krahët, probleme me mushkërinë, me brinjët, edhe me kraharorin. Aktualisht atë po e mbajnë në jetë me ilaçe, me plazmë dhe me transfuzion gjaku. Ka humbur shumë gjak, por kolegët e tij policë kanë ardhur dhe kanë dhënë që të gjithë gjak.
Po nga përfaqësuesit e shtetit ka ardhur njeri?
Po, po. Erdhi ministri i Shëndetësisë, Halim Kosova dhe ministri i Brendshëm, Flamur Noka. Të dy na thanë që për çfarëdo problemi të kishim, ata do të dilnin garant. Madje, folën edhe me mjekët për transportin e vëllait jashtë, por për momentin ata nuk mundin që ta lëvizin, sepse gjendja e tij shëndetësore nuk e lejon. Ne shpresojmë vetëm që Zoti të bëjë ndonjë mrekulli, sepse vetëm ai mund ta shpëtojë Prengën.
Po emrin e autorit e kishit dëgjuar më parë?
Jo, nuk e kam dëgjuar ndonjëherë. Nëse ai është kapur, shteti duhet që t'i japë dënimin që i takon. Nuk është vetëm vëllai ynë, por është edhe një tjetër efektiv policie që ka humbur jetën. Është një mrekulli që vëllai ynë të paktën është gjallë.
Kur ka ndodhur si ngjarje?
Mua më thanë që Prenga kishte marrë turnin të shtunën në orën 22:00 dhe ngjarja ka ndodhur afro 40 minuta më vonë, kur atë dhe kolegun e tij e kanë përplasur. Ai shpëtoi vetëm se një shoku i tij e ka sjellë me shpejtësi të rrufeshme në spital. 

(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb) Lidhje te tjera Vritet në krye të detyrës, homazhe efektivit Selman Lena, kolegu i tij në gjendje të rëndë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›