E Shtunë, 31 Tetor 2026

Egërsi e socialistëve kundër heqjes së vizave

Sulm i paskrupullt i njeriut të Edi Ramës dhe Sigurimit të Shtetit në parlament kundër dokumenteve biometrike, dokumenteve më të çertifikuara nga organizmat ndërkombëtare. Partia e “Ruzhdies” shfaqi dje në parlament qëllimet e mbrapshta kundër heqjes së vizave dhe integrimit të vendit në BE. Reagimi i Berishës: Sulmi ndaj integrimit s’do të tolerohet


Komisari i Enverit, Gramoz Ruçi vë në diskutim sigurinë e dokumenteve më cilësore të shqiptarëve, kartat e identitetit që njëherazi përbëjnë një standard për liberalizimin e vizave. Gjatë diskutimeve në parlament, ish ministri i diktaturës dhe përgjegjësi kryesor për masakrën e Shkodrës në 91-shin, Gramoz Ruçi në krye të grupit parlamentar të PS, demonstroi dje një tjetër politikë të mbrapshtë të tij dhe të lakuriqit ylberist, Edvin Kristaq Rama, duke tentuar të penalizojë proceset e integrimit të Shqipërisë dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë në hapësirën “Schengen”. Ruçi u shpreh në podiumin e Kuvendit se ka prova të mjaftueshme për manipulimin e zgjedhjeve të 28 qershorit, duke ekspozuar para deputetëve dhe kamerave të medieve, por që asnjëherë s’u panë qartë nëse ishin patenta, karta konferencash apo karta identiteti, të gjitha këto të falsifikuara, thjesht e vetëm për të përcjellë para opinionit publik, mashtrimin e radhës, se dokumentet e identitetit që ata zotërojnë, janë të dyshimtë. Menjëherë pas kësaj, ka ardhur reagimi i menjëhershëm i kryeministrit Berisha, i cili e vlerësoi propagandën e Ruçit si një politikë të mbrapshtë të tij dhe Edvin Ramës, në një kohë kur Shqipëria po përgatitet për të përfituar nga procesi i liberalizimit të vizave.


Reagimi i kryeministrit Sali Berisha/ Kryeministri Sali Berisha e vlerëson si një politikë të mbrapshtë kundër interesave të Shqipërisë dhe shqiptarëve, shpërfilljen e kartave të identitetit nga partia ylberiste e Edvinit. Duke reaguar pas përbaltjes të ish ministrit të diktaturës, ndaj dokumenteve më të sigurta që zotërojnë shqiptarët në historinë e tyre, shefi i ekzekutivit Sali Berisha tha se duhet ndalur me çdo kusht kjo politikë kundër interesave kombëtare të vendit. Kryeministri, i bëri thirrje opozitës, që çdo provë të cilën e disponon, ta bëjë fakt të kryer dhe t’i depozitojë në organin e akuzës, në Prokurori dhe jo të penalizojë një nga proceset më të sigurta që lidhet me dokumentet e identitetit. “Në vullnetin për kompromis, i kemi ofruar opozitës që çdo provë, përfshirë edhe ato stilolapsat pa bateri dhe patentat që dolën këtu, apo kartat e falsifikuara, t’i marrë dhe t’i çojë në prokurori. Gramoz Ruçi, nxori këtu disa karta, patenta, a karta të konferencave, apo falsifikime kartash, unë vetëm një thirrje i bëj: Ruçi, të gjitha këto, duhet t’i paraqisni në Prokurori. Sistemi i identifikimit të shqiptarëve, është ndër më themeloret, sistemi më i sigurt, por të paraqesësh të tilla pseudo-fakte, për një sistem që është i sigurisë më të lartë në Evropë në një kohë kur Shqipëria pret liberalizimin e vizave, jo, është e mbrapshtë. Shqiptarët nuk kanë pasaporta diplomatike siç keni ju, për të udhëtuar atje ku kanë të afërmit e tyre. Ju zotëri keni një qëllim të mbrapshtë, për të nxirë procesin me të cilin janë paraqitur shqiptarët para Komisionit Evropian, për të nxirë procesin e marrjes së vizave”, deklaroi kryeministri Berisha. Në vijim, gjatë diskutimeve për nismat ligjore të PS-së Berisha tha se shumica parlamentare ka krijuar të gjitha hapësirat, por se është opozita ajo që i ka sjellë punët mbrapsht. Kryeministri theksoi se nuk është parë ndonjëherë që të depozitohet në Kuvend ligji bashkë me ngritjen e komisionit hetimor, procedurë, të cilën në mënyrë të paprecedentë e aplikoi opozita një javë më parë. “Jemi në parlament, në një diskutim të hapur, për të konkretizuar rezultatet konkrete. Negociatat, marrëveshjet, kanë një kusht, dhe ky kusht është fondamental, themelor, palët përpiqen të afrohen në qëndrimin e tyre, në interesin më të mirë. Dua të garantoj qytetarët shqiptarë se që nga shtatori i vitit të shkuar dhe deri më tani, të ardhur me kërcënimet më të egra, me trillimet më të mëdha dhe me pretendimet më absurde, kemi injoruar çdo gjë dhe jemi përpjekur në interesin më të mirë të ofrojmë elementët parësorë të një kompromisi, sepse kompromisi në demokraci është një element i kushtit të dialogut, vendit të dialogut dhe funksionimit të saj. Në këtë kontekst ka qenë oferta, jonë, unike në historinë e një parlamenti, unike në parlamentarizmin e një vendi të lirë, që opozitës t’i ofrohet shumica në komisionin hetimor parlament. E kemi bërë këtë, absolutisht. Ata që e kanë interpretuar si shenjë dobësie, ata kanë mashtruar veten e tyre. E kemi bërë këtë si një gjest njerëzie dhe mirëkuptimi ndaj opozitës. Nuk e kemi bërë kurrë atë, për t’ju nënshtruar konceptit se ndonjëherë një pakicë mund të sundojë Shqipërinë. Për 4 dekada me radhë, pakica i bëri gjëmën Shqipërisë. Parlamentarizmi dhe Kushtetuta kërkojnë që shumica t’i takojë qeverisë, por ne bëmë një përjashtim të madh, përjashtim që më është dashur t’ua shpjegoj bashkëbiseduesve të mi ndërkombëtarë, se, pse po e bëjmë. Në të gjitha këto, platforma dhe qëndrimi ynë ka qenë konstant. Kam përshëndetur deklaratën e BE-së, se çështjen duhet ta zgjidhin shqiptarët. Por, kam pranuar se jam i gatshëm për çdo ofertë për ndërmjetësim dhe as nuk do të refuzoj, sepse qëllimi im është që këto zonja dhe zotërinj të jenë të pranishëm në parlament”, u shpreh kryeministri Berisha. Ai u shpreh se opozita, në të drejtën e saj më të madhe është dhe duhet të jetë e interesuar për një zgjedhje të lirë dhe të ndershme. Kryeministri gjeti rastin të ftojë opozitën, që ashtu siç e karakterizoi reformën zgjedhore një konsensus i plotë, përfshirë edhe ndryshimet kushtetuese, sërish opozita ka të drejtën e saj, për të hartuar të gjitha amendamentet e sugjeruara edhe nga OSBE/ODIHR dhe Asambleja Parlamentare e KiE-së, për t’i votuar më pas në Kuvend, qoftë edhe përfshirë ndryshimin e sistemit. Në përfundim, kryeministri Berisha i apeloi socialistëve që të mos e impresionojnë me protesta, porsa kohë, siç tha kryeministri, ai është një protestues natyral. “Një protestuesi natyral të lindur si Sali Berisha, mos e impresiononi me protesta. Se vetëm unë mund t’ua tregoj juve se si bëhet protesta. Unë e kam të faktuar këtë”, deklaroi ndër të tjera shefi i ekzekutivit. Berisha fton deputetët socialistë të votojnë ligjin për Gjykatën Administrative/“I ftoj të gjithë deputetët tuaj, të votojmë ligjin për Gjykatën Administrative. është një ligj i një rëndësie të veçantë dhe ndër kriteret e vendit në kuadër të integrimit dhe liberalizimit të vizave”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›