Kufijtë e vizat, ministrat e Ballkanit mblidhen në Tiranë
ADI SHKEMBI
Qeveria shqiptare garanton para vendeve të rajonit ruajtjen e kufijve të saj. Duke folur në Konferencën së 7-të Ministrore mbi Bashkëpunimin në Fushën e Sigurisë së Kufijve në Evropën Juglindore, Kryeministri Berisha theksoi se siguria e kufijve është përparësi madhore e ekzekutivit shqiptar. "Pak muaj më parë, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia, fituan të drejtën e lëvizjes së lirë në mbarë kontinentin. Shqipëria, Bosnja-Hercegovina janë në prag të këtyre vendimeve. Natyrisht ky zhvillim rrit përgjegjësinë tonë ndaj partnerëve tanë kudo në Evropë, një luftë e përbashkët, eficente, ndaj krimit të organizuar e cila ka si konditë "sinequanon" sigurinë e kufijve, është në përgjegjësinë tonë më të madhe", theksoi kryeministri. Ai tha se gjatë një viti i gjysmë, mbi 206 grupe kriminale u vunë para drejtësisë. "Forcat e rendit dhe agjencive të tjera të zbatimit të ligjit, me një vendosmëri të lartë, me një profesionalizëm të madhe, por edhe kurajë e guxim të veçantë, në një hark kohor 18-mujor çmontuan njëra pas tjetrës, mbi 206 grupe dhe organizata kriminale, ndaluan, identifikuan, arrestuan, vendosën para ligjit rreth 1 mijë anëtarë dhe drejtues të këtyre organizatave. Lufta me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar funksionoi dhe në bindjen time më të thellë, zero toleranca është shtylla kryesore, mbi të cilin duhet bazuar lufta kundër krimit të organizuar", vijoi më tej kryeministri. Nga ana e tij Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha theksoi se shembulli më i mirë i bashkëpunimit rajonal mes vendeve është lufta kundër krimit të organizuar. "Bashkëpunimi i shkëlqyer në të gjitha anët e të gjithë kufijve i organizatave kriminale është dhe mbetet sfida kryesore për forcat tona policore dhe për qendrat tona vendimmarrëse. Dëshiroj të shpreh vendosmërinë tonë për të punuar së bashku në këtë prioritet të përbashkët, për të adresuar këtë sfidë të përbashkët pavarësisht prej qëndrimeve të ndryshme që Tirana dhe Beogradi apo çdo kryeqytet tjetër në rajon mund të kenë mbi probleme apo çështje politike", tha Basha. I pranishëm në konferencën e organizuar dje ishte edhe Ambasadori i Spanjës, vendi i të cilit mban Presidencën e radhës së BE-së, Manuel Manuel Montobio, i cili e vlerësoi si arritje të vendeve të Ballkanit Perëndimor mbajtjen e një konference mbi bashkëpunimin në fushën e sigurisë së kufijve. "Ne përballemi me planin e veprimit evropian, atë të doganave dhe të instrumenteve të tjera, çështjet rajonale janë kyçe për BE, në përpjekje për të minimizuar krimin e organizuar. Ju po drejtoni këtë zonë të sigurisë dhe të drejtave themelore, Evropa është shumë e ndërgjegjshme, për hapat që duhet të marrë për Ballkanin Perëndimor, si liberalizimin e vizave dhe futjen në zonën Shengen", theksoi Ambasadori spanjoll.