E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pyetësori i BE, miratohen 21 nga 35 kapitujt



Komiteti Ndërministror i Integrimit miraton 6 kapituj të pyetësorit të Komisionit Evropian, duke e çuar në 21 në total numrin e kapitujve të përfunduar. Konkretisht kapitujt e miratuar dje kanë të bëjnë me lëvizjen e lirë të kapitalit, shoqërinë e informacionit dhe median, tatimet, mjedisin, kontrollin financiar dhe financat e buxhetin. Duke folur në mbledhjen e KNI-së, Kryeministri Berisha përsëriti sërish apelin për punonjësit e administratës që të japin përgjigje sa më koncize. "Edhe një herë sjell në vëmendjen tuaj se në Bruksel do të shkohet me një tekst, nuk them të përmbledhur, por me një tekst pa ujë. Duhet që të dëshmojmë të gjithë përqendrimin tonë që të mund të shprehim qartë, plotësisht përgjigjet tona, realitetin, vizionin, por kjo të bëhet në mënyrë sa më të kursyer, sepse është i njohur fakti se ka ndodhur në letërsi që shkrimtarë, që gjithë jetën shkruan me qindra vëllime, mbetën pa u bërë të mëdhenj vetëm nga volumet e mëdha, që nuk ua lexon dot njeri", theksoi Kryeministri. Sipas tij, përgjigjet që do të japë pala shqiptare nuk duhet të jenë të mundimshme për Komisionin Evropian. Në përgjigjet e pyetjeve për gjashtë kapitujt e fundit të pyetësorit janë angazhuar 265 punonjës. Këto kapituj përbëjnë 327 përgjigje, rreth 14 për qind të pyetësorit, nga 2.280 pyetje që janë gjithsej. "Këto kapituj kanë së bashku 327 përgjigje, rreth 14 për qind të të gjitha pyetjeve të pyetësorit të Komisionit Evropian. Për hartimin e këtyre përgjigjeve janë angazhuar rreth 30 institucione, mbi 265 punonjës dhe drejtues të niveleve të ndryshme, të cilët kanë marrë pjesë në hartimin dhe kontrollin e cilësisë së përgjigjeve. Me këto kapituj, ne avancojmë në 21 numrin e kapitujve që miratojmë në KNI, nga 35 që janë gjithsej", u shpreh më tej Kryeministri Berisha. Në të njëjtën kohë sipas tij, paralelisht me procesin e përkthimit në anglisht të pyetjeve. "Siç e shihni, po bëhet një punë intensive dhe paralel me të, po ecën përkthimi. Janë përkthyer 2249 faqe dhe 1565 anekse apo shtojca. Më duhet të shtoj se tek anekset mund të ketë shumë gjëra të përkthyera paraprakisht dhe janë përkthime të cilësisë shumë të mirë", theksoi më tej kreu i ekzekutivit në mbledhjen e KNI-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›