E Shtunë, 31 Tetor 2026

Portëz, banorët mbrojnë komisionerët e PD-PS



FIER - "Do të shkojmë të gjithë në Gjykatë. Ne nuk i lejuam komisionerët që të hapnin qendrën e votimit". Banorët e komunës së Portëzës, të cilët kanë bojkotuar zgjedhjet e 28 qershorit kanë mbrojtur 6 komisionerët e 2 QV-ve të fshatrave Pyk dhe Krapas, të akuzuar për braktisje të detyrës. Sipas tyre, vendimin për të mos hapur qendrën e kanë marrë për shkak të mungesës së investimit në këtë zonë. Janë 7 km rrugë që lidhin 5 fshatrat e komunës Portëz, të cilat gjenden totalisht të shkatërruara. "Nëse do të vazhdojë sërish kjo gjendje e infrastrukturës rrugore, komunën e Portëzës duhet ta heqin përfundimisht nga harta e zgjedhjeve". Edhe kryetari i QV-së 3120, Kastriot Hoxha i proceduar nga Prokuroria e Fierit për braktisje të detyrës dhe shkelje të kodit zgjedhor, pohon se akuza ndaj tij për braktisje të detyrës është e padrejtë. Vetë komisionari, përfaqësues i PS-së, thotë se ka qëndruar për orë të tëra në KZAZ Patos për t'u pajisur me bazë materiale, ndaj akuza për braktisje të detyrës nuk qëndron. "Në ditën e zgjedhjeve nuk më la i gjithë fshati. Sot më thirrën për gjyq, nuk e kuptoj. Nëse shteti do të na fusë në burg, le të na fusë, nuk di se ku të shkoj të ankohem dhe çfarë të them tjetër". Sipas komisionerit situata në ditën e zgjedhjeve në 2 QV ka qenë shumë e tensionuar pas protestave të njëpasnjëshme të të gjithë banorëve për rikonstruksionin e rrugës që lidh 5 fshatrat e komunës Portëz. Megjithatë kryetari i QV-së është i gatshëm të përballet me drejtësinë së bashku me 5 komisionerët e tjerë. m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›