E Diel, 1 Nëntor 2026

Egjipt/ Policia vret 4 emigrantë në kufirin me Izraelin

Policia egjiptiane qëlloi sot për vdekje katër emigrantë afrikanë, që po tentonin të kalonin kufirin për në Izrael përmes shkretëtirës Sinai, njoftuan burime policore. Ky është incidenti më i përgjakshëm kufitar ku përfshihen emigrantë afrikanë, ndërkohë që pas disa ditësh liderët egjiptian dhe ata izraelitë pritet të mbajnë disa takime politike në Kajro.
Burime të sigurisë njoftuan se dy emigrantë të tjerë, të dy nga Etiopia, mbetën të plagosur dhe njëri është në gjendje të rëndë shëndetësore. Akoma nuk është bërë i mundur identifikimi i të vdekurve, për shkak se ata nuk mbanin dokumente identifikimi. Që prej majit policia egjiptiane ka vrarë në kufij të paktën 12 emigrantë afrikanë.
Egjipti, që prej vitesh ka toleruar dhjetëra mijëra emigrantë afrikanë të hyjnë në territorin e tij, shqetësohet për faktin se kalimi i lirë i emigrantëve në kufirin strategjik të Sinait, mund të paraqesë një kërcënim për sigurinë e një zone, që aktualisht militantët islamikë e përdorin për t'u strehuar.
Kufiri me Izraelin është rruga kryesore që përdorin në përgjithësi emigrantët e paarmatosur dhe refugjatët që kërkojnë punë në shtetin hebre.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›