Çadi njeh shtetin e Kosovës
Republika e Çadit është vendi i 91-të që njeh shtetin sovran dhe të pavarur të Kosovës.
Përmes një note verbale dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, Qeveria e Republikës së Çadit ka konfirmuar njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ky shtet.

Flamuri i Republikës së Kosovës
Qeveria e Çadit njofton MPJ e Republikës së Kosovës, se formalisht njeh Kosovën shtet të pavarur dhe sovran,- thuhet në notën verbale të Qeverisë së Çadit.
Një muaj më parë (02 maj 2012), ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, në Ambasadën e Çadit në Paris kishte zhvilluar një takim me Ministrin e Jashtëm të Çadit, Moussa Faki Mahamat.
Në këtë takim, ministri Hoxhaj, kishte marrë konfirmimin nga homologu i tij, që Republika e Çadit shumë shpejt do të publikojë vendimin për njohjen e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës.
Njohja e Republikës së Çadit vjen në kohën kur Ministria e Punëve të Jashtme dhe institucioneve tjera të përfshira në procesin e njohjeve, po bëjnë përpjekje maksimale për përmbylljen e plotë të këtij procesi.
Çadi ndodhet në pjesën qendrore të Afrikës Veriore. Çadi në veri kufizohet me Libinë, në lindje me Sudanin, në jug me Republikën e Afrikës Qendrore, në jug-perëndim me Kamerunin e Nigerinë dhe në veri-perëndim me Nigerin. /E. K./