Egjipt, mbahen peng në hotel 15 turistë shqiptarë
Nuk ka të sosur odiseja e 180 turistëve shqiptarë që u braktisën në Sharm el Sheikh nga agjencia turistike Pasha Holiday, e cila nuk u siguronte atyre kthimin në atdhe pas pushimeve të prenotuara pranë saj.
Dy ditë më parë, turistët kërkuan ndihmën e medias për të denoncuar agjencinë turistike shqiptare pranë të cilës kishin paguar për të kaluar pushimet në Egjipt, ndërkohë që pas shoqërimit në polici, pronarja e kësaj agjencie deklaroi se kishte shpallur falimentin, prandaj nuk mund tu siguronte dot kthimin në atdhe turistëve.
Pas denoncimit të rastit, kompania ajrore Belle Air u tregua e gatshme të bënte transportimin nga Egjipti të turistëve shqiptarë, pushimet e të cilëve duhet të mbaronin ditën e sotme, por ndërkohë mësohet se 15 prej turistëve mbahen peng në një hotel në Sharm El Sheik, pasi nuk u është bërë pagesa për ditët që kanë qëndruar atje. Turistët pretendojnë se janë rrethuar nga policia egjiptiane, e cila nuk i lejon të nisen për në aeroport, ke pritet të mbërrijë avioni i kompanisë Belle Air, që do të rikthejë 180 turistët e bllokuar në Shqipëri.
Sipas informacioneve të fundit, turistët po mbahen të mbyllur në hotelin Laguna Vista, pasi pronari i tij u kërkon atyre të paguajnë 5 mijë dollarë më shumë.
Të ndodhur në vështirësi dhe pa pasur burime financiare për shkak të braktisjes nga agjencia që u kishte organizuar udhëtimin, turistët kontrollohen nga policia.
Nga ana tjetër, përfaqësues të agjencisë Pasha Holiday deklarojnë se turistët e kanë paguar hotelin që në ditën e parë që mbërritën në Egjipt.
13 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)
Egjipt, mbahen peng në hotel 15 turistë shqiptarë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip