Turistët shqiptar peng në hotel, niset sonte në mbrëmje avioni i Belle Air
Egjipt- Pritet të marrë fund sonte në mbrëmje saga 13 ditore e turistëve shqiptarë të bllokuar në Sharm el Sheik të Egjiptit, pasi rezultuan të mashtruar nga një kompani turistike që nuk mori përsipër kthimin e tyre në atdhe.
Kompania Belle Air bën të ditur se do të kryejë sontë në mbrëmje në orën 23:00 sipas orës lokale, të Sharm el Sheik, fluturimin për kthimin në vend të 180 turistëve shqiptare të ngeçur atje, ndërkohë që u bën thirrje familjarëve të turistëve të bëjnë pagesën pranë pikave të shitjes.
“Në datën 10 gusht Belle Air ka marrë kërkesë për të kryer një fluturim Charter nga Sharm el Sheikh Tiranë, në datë 13.08, në mënyrë që të bëhet mbrojtja e pasagjerëve të bllokuar atje. Belle Air është angazhuar plotësisht për të kontaktuar të gjithë agjencitë e tjera organizuese të paketave, pasagjerë e familjarë për t’i informuar dhe ofruar mundësinë e mbrojtjes nëpërmjet fluturimit charter organizuar nga fondi BESA”, – thuhet në njoftimin e Belle Air.
Turistët ndërkohë po përballen me vështirësi të ndryshme në Egjipt. Të rrethuar nga policia egjiptiane, ato mbahen peng në një hotel, që pretendon se nuk është bërë pagesa dhe nuk i lejon të nisen pa u bërë pagesa.
Pas bllokimit të 180 turistëve shqiptarë në Sharm el Sheik të Egjiptit, policia e Tiranës ka nisur procedimin penal ndaj agjecisë Pasha Holiday, pasi akuzohet për veprën penale të mashtrimit.
Sipas zëdhënëses së policisë, Alma Katragjini, është shoqëruar në komisariat edhe presidentja e agjencisë për tu marrë në pyetje.
Turistët shqiptarë kishin shkuar në Sharm el Sheik për pushime, por kanë ngelur atje, pasi kompania e tyre turistike nuk ka pranuar të marrë përsipër rikthimin e tyre në Shqipëri.
Bëhet fjalë për reth 180 turistë shqiptarë që kanë shkuar në Egjipit që me datën 2 Gusht, me kompaninë Pasha Holiday, por autoritete të kompanisë u kanë thënë se nuk mund t`i rikthejnë në atdhe, pasi kompania ka falimentuar.
/IDEA/