Pasaportat biometrike, Poni: Proçesi po ecën normalisht

Përpos ankesave të qytetarëve për vonesa në marrjen e pasaportës biometrike, tashmë duket se ky proces po shkon drejt perfundimit . Aktualisht 3.1 milion shqiptarë kanë në duart e tyre kartën e identitetit, nga të cilët 2.3 milion edhe pasportën biometrike.
Zëvendës. ministri i Brendshëm, Ferdinant Poni thotë se jo vetëm që nuk ka vonesa, por gjithcka po kryhet brenda afateve të përcaktuara kohore. Por në këtë pikë Zëvendës.ministri Poni sqaron se nuk duhet ngatërruar nga qytetarët koha e aplikimit për pasaportë biometrike me kohën e verifikimit të të dhënave në polici.
Ndërkaq Zëvendës. ministri i Brendshëm thotë se përvec katër sporteleve që janë ngritur në Greqi dhe në Itali për aplikimin e pasaportave biometrike nga emigrantët shqiptarë, është parashikuar që në vjeshtën e këtij viti të hapet një zyrë edhe në New York.
Pajisja e të gjithë qytetarëve shqiptarë me dokumente biometrike të identitetit është garanci më shumë për qytetarët shqiptarë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Megjithatë Poni thotë se kjo u arrit edhe në zgjedhjet e shkuara të 2009-tës, kur 1.4 milion shqiptarë u paisën me karta identiteti, në kushtet kur në votim marrin pjesë rreth 1.5 milion votues.