E Diel, 1 Nëntor 2026

Egjipt, merren peng 11 turistë, kërkohen 15 milionë dollarë

Me 11 turistët u morën peng edhe katër egjiptianë, dy prej të cilëve ishin shoqërues, i treti ishte roje kufiri dhe i fundit ishte shofer.

Pengmarrja ndodhi në një zonë të shkretë në kufi me Sudanin. Konfirmimi për pengmarrjen u bë nga ministri i Turizmit të Kajros i cili përgënjeshtroi praninë e dy izraelitëve. Kanali televiziv shtetëror bëri të ditur se pengmarrësit, të maskuar, kanë kërkuar një shpërblim dhe po kryhen bisedime për të liruar të rrëmbyerit. 15 milionë dollarë është shifra që mësohet të jetë kërkuar për 11 turistët e huaj.

Ministri i Jashtëm egjiptian preferoi të mos jepte detaje të mëtejshme lidhur me rrëmbimin, përveç habisë që ngjarja zhvillohet në një zonë turistike me masa të larta sigurie.

Lajmi për rrëmbimin e një grupi të huajsh vjen një javë pas dhënies së alarmit nga një zyrë izraelite e antiterrorizmit e cila kishte ftuar bashkatdhetarët e vet që ishin për pushime në Egjipt dhe veçanërisht në gadishullin e Sinait për t’u kthyer në vend për shkak të rrëmbimeve që mund të ndodhnin së shpejti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›