E Diel, 1 Nëntor 2026

PS kundër projektligjit për SHKB

Tiranë- Partia Socialiste është shprehur sot kundër Projektligjit për Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm, duke e cilësuar atë si mjetin e rradhës, që qeveria tenton të përdorë për të kontrolluar Policinë, SHISH, Prokurorinë, si dhe çdo institucion apo individ që nuk pajtohet me kryeministrin e vendit.

Sipas sekretarit juridik të PS-së, Ylli Manjani, me këtë projektligj qeveria synon të ndërtojë nje super ministri të brendshme, e cila ka në dorë policinë e shtetit, policinë gjyqësore, madje edhe Prokurorinë dhe SHISH.

“Kjo qeveri anti-reformë e ky Kryeministër i paaftë, vazhdojnë të dëmtojnë institucionet me nisma ligjvënëse, si ky projektligj, i cili nuk shton asnjë kontribut në sigurinë e shqiptarëve, por thjesht shton përplasjet e instiucioneve”- tha sot gjatë një deklarate për shtyp, sekretari juridik i PS-së, Ylli Manjani.

Qeveria, sipas tij, me këtë projektligj propozon ndërtimin e një strukture mbikqyrëse të policisë e shtetit, dhe paralele me prokurorinë dhe me SHISH. Kompetencat e pa përcaktuara qartësisht për SHKB-në, do të shkaktojnë përplasje ndërmjet këtyre institucioneve, nga ku fiton gjithmonë pushteti më i fortë, pra ai i qeverisë.

“Kjo është një tjetër tentativë e qeverisë për të vënë nën kontoll institucionet e autoritetet ligjore të pavarura nga qeveria”- tha më tej ai, duke shtuar se PS-ja nuk mund të pranojë këtë projektligj që cenon pavarësinë e organeve të hetimit dhe profesionalizmin e Policisë së Shtetit.

Sipas tij, projektligji është i papranueshëm sepse krijon mundësi për ndërhyrje jo ligjore e jo demokratike të qeverisë në jetën private të qytetarëve e as në kompetencat e institucioneve të pavarura të shtetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›