Një jetë në kalanë e princeshës Argjiro
GJIROKASTËR- Askush nuk e njeh më mirë kështjellën e Gjirokastrës se sa gruaja që çdo ditë e përshkon cep më cep duke folur për historinë dhe vlerat e saj. Përveç historisë, di me përsosmëri çdo ndërhyrje apo dëmtim në trupin e objektit më të madh monumental e historik në qytetin e Gjirokastrës. 35 vitet e kaluara në këtë ambient, kanë bërë të vetën e tashmë ajo e sheh veten të lidhur mjaft ngushtë me kalanë. Ajo ka nisur këtë “aventurë” si cicerone dhe tashmë është drejtore e muzeve të Gjirokastrës.
Kështjella
Teuta Kallajxhiun, pothuajse në çdo kohë, e gjen në kështjellë, në pritje për të shoqëruar vizitorët në muzeun e armëve, burgun e kalasë e në ndonjë rast edhe në galerinë e arteve. Komunikon me ta në anglisht dhe italisht dhe iu tregon historitë që rrethojnë këto mjedise. Princesha Argjiro është mjaft e njohur prej turistëve, të cilët pyesin përherë për të. “Është një legjendë, shpjegon Teuta, nuk është ngjarje e vërtetë”. Në këto ditë me fluks të ngarkuar turistësh është pothuajse e pamundur të bisedosh shtruar me të, pasi ardhjet e vazhdueshme të grupeve të ndërpresin. Në 35 vjet të punës së saj në këtë vend, atëherë një vajzë e re vetëm 20 vjeçe ka shumë për të treguar, duke filluar nga vështirësitë e para e deri te idetë sesi kalaja mund të kthehet në qendrën më të vizituar. “Kuptohet që në fillim bëhet fjalë për vitin 1973 e kisha shumë të vështirë. Në atë kohë vizitorët më të shumë ishin kinezët, me të cilët kishim marrëdhënie dhe për të komunikuar me ta më shërbente gjuha ruse, të cilën e kisha mësuar në shkollë. Me kalimin e kohës, numri i vizitorëve vinte në rritje dhe ishte i nevojshëm mësimi edhe i gjuhëve të tjera. Para viteve 1990 vizitorët vinin nga e gjithë bota, ndoshta ishin të përzgjedhur apo të kontrolluar për këtë nuk mund të flas me siguri. Vinin me grupe të organizuara, çdo ditë vinin mesatarisht 4-5 grupe me rreth 15-20 vizitorë secili. Ndoshta shtyheshin nga kureshtja për të parë një vend socialist. Por, atëherë edhe gjendja në kala ishte shumë herë më e mirë sesa tani, ambienti ishte më i pastër, kishte lulishte gjithandej dhe një brigadë e posaçme merrej me restaurime dhe pastrime në kala. Në vitin 1983, para se të ndërtohej skena e Festivalit Folklorik u kryen disa gërmime, prej të cilave mund të dilnin në pah vlera ende të panjohura, por që më pas u lanë”,- tregon Teuta.
Me Byronë Politike
Absolutisht të gjithë anëtarët e Byrosë Politike, të Komitetit Qendror e ministra të asaj kohe e kanë vizituar kalanë e Gjirokastrës. Madje një pjesë e tyre kanë ardhur më shumë se një herë, kryesisht kur shoqëronin delegacionet e huaja. Teuta i ka pritur të gjithë, me përjashtim të Enver Hoxhës. “Kur erdhi Enver Hoxha për vizitë në kala sapo kisha sjellë në jetë vajzën dhe isha me leje. Ndërsa gjithë drejtuesit e tjerë të lartë të asaj kohe, duke filluar nga Ramiz Alia, Adil Çarçani etj, i kam pritur dhe shoqëruar. Pas viteve 1980 nisën të ndiheshin tronditjet e para të cilat janë pasqyruar edhe gjatë vizitave të kryera në kala dhe veçanërisht në muzeun e armëve. Para kësaj kohe, ne në muze tregonim historinë e luftës, duke i mëshuar trimërisë së popullit tonë kundër pushtuesve, ndërsa pas ‘80-ës kjo gjë erdhi duke u zbehur. Për shembull, kur vinte një delegacion italian apo gjerman na sugjeronin të mos u mëshonim më shumë historive të luftës. Por, padyshim të gjithë drejtuesit e lartë të asaj kohe flisnin me krenari si për kalanë edhe për të gjitha mjediset e tjera të saj”,- rrëfen më tej drejtorja e muzeve.
Rrënimi i muzeut dhe largimi i vizitorëve
Por tashmënë muzeun e armëve ka pak gjëra për të treguar e me të cilat mund të krenohesh.“Në muze atëherë nuk tregohej thjesht ana funksionale e armëve, por edhe artizanati shqiptar, punimet, gdhendjet me argjend etj. Të gjitha armët me zbukurime argjendi, ku janë të gdhendura lule, kafshë e zbukurime të ndryshme prej shumë vitesh qëndrojnë të mbyllura, pasi nuk kanë ambiente për t’u ekspozuar. Më parë i hoqëm nga frika e grabitjeve të ndryshme që mund të ndodhnin, ndërsa tani armët e vjetra janë të magazinuara. Në disa prej guidave turistike flitet për këto armë dhe shumë turistë kur vijnë na pyesin, por nuk mund t’i ekspozojmë”, -tregon Teuta. Për të është e trishtueshme t’i shohë këto mjedise ku ka kaluar pjesën më të madhe të jetës së saj në gjendje jo fort të pëlqyeshme, pasi njeh çdo cep të kalasë, të gjitha nevojat që ajo ka për ndërhyrje. Vizitorët tashmë vit pas viti janë të shumtë dhe tashmë ata mund të shohin edhe atë pjesë që më parë ka qenë e mbyllur. “Pas viteve 1990 numri i vizitorëve ra në mënyrë shumë të ndjeshme dhe deri në vitin 1995 numri i tyre ishte pothuajse i papërfillshëm. Gjithashtu edhe pas viti 1997 thuajse askush nuk vinte të vizitonte. Me kalimin e viteve, interesi u rrit dhe gjatë dy viteve të fundit e sidomos sivjet numri i tyre është shumë i lartë”,- tregon Teuta.
Specialistët e Akademisë mbretërore të Arteve Figurative të Suedisë nisin punë për restaurimin e banesave gjirokastrite
“Keni një perlë që nuk dini ta shfrytëzoni”
GJIROKASTËR- “Mungesa e strategjive të posaçme për ruajtjen dhe konservimin e vlerave arkitektonike është problemi më i madh i qytetit të gurtë të Gjirokastrës”. Këtë përcaktim kanë dhënë specialistë suedezë, të Akademisë Mbretërore të Arteve Figurative në Stokholm. Të ardhur në Gjirokastër prej disa muajsh me një kamp restauratorësh vullnetarë si nga Suedia, ashtu edhe nga disa vende të Ballkanit Perëndimor, Frederik Beluar, profesor i arkitekturës dhe historisë në Akademinë Mbretërore suedeze të arteve figurative dhe zv/presidenti i fondacionit Trashëgimia Kulturore pa kufij, Andreas Heimovski e kanë vlerësuar Gjirokastrën si një qytet të rrallë, por me shumë probleme. “Ne kemi parë shumë qytete të ndryshme në rajonin e Ballkanit dhe kur erdhëm për herë të parë në maj u magjepsëm. Është i vetmi vend që ka ndërthurur në mënyrë të mrekullueshme natyrën me arkitekturën. Donim të gjenim një vend që nuk ishte shkatërruar nga lufta, por që kishte probleme të tjera ashtu si edhe Gjirokastra. Qyteti juaj është një rast i veçantë, sepse në krahasim me qytete të tilla të ngjashme në Perëndim, këto të fundit nga turizmi i zhvilluar kanë humbur vlerat autentike. Me Gjirokastrën kemi një shans të mirë që të përpiqemi që njerëzit të vazhdojnë të jetojnë në këto shtëpi dhe të zhvillohet turizmi duke e pasur qytetin të gjallë. Një nga problemet që duket qartë është se godinat nuk janë mirëmbajtur në vite dhe këto kanë sjellë gjendjen e sotme. Në fakt juve ju mungon tradita e ruajtjes së godinave”, -është shprehur profesori i arkitekturës dhe historisë në Akademinë Mbretërore suedeze të arteve figurative Frederik Beluar. Megjithatë, përveç këtij problemi të madh specialistët e restaurimeve nuk kanë lënë pa vënë në dukje edhe të tjera probleme të vogla. “Një nga gjërat që bie në sy menjëherë, përveç problemeve të tjera, janë edhe plehrat në qytetin e Gjirokastrës, të cilat bien menjëherë në sy. Një tjetër problem është trafiku në pjesën muzeale, pasi sot nuk është shumë e këndshme të ecësh në pjesën historike me këtë trafik. Ajo që ne shpresojmë është që gjithçka të zhvillohet dhe të ecë duke ruajtur tradicionalen dhe vlerat autentike”,- ka theksuar më tejAndreas Heimovski. Grupi i 35 specialistëve, ku përfshihen arkitektë dhe studentë nga Suedia, Shqipëria dhe vende të Ballkanit Perëndimor do të qëndrojnë në Gjirokastër për një periudhë trevjeçare, pasi janë duke punuar për restaurimin e tri objekteve, shtëpitë Babameto I dhe II si dhe shtëpia e Shehaj.