Ohër, zbulohen tre burime nënujore
Pogradec: Duket se tre vjet kërkime nuk i kanë shkuar kot kompanisë zviceriane që merret me burimet e ujërave dhe që punon në liqenin e Ohrit. Po sot u bë e ditur një nga zbulimet më të mëdha të këtij liqeni, ndërsa u publikua fakti se në liqenin më të thellë të Ballkanit kanë rezultuar tre burime nënujore me një kapacitet prurjeje prej 60 metër kub ujë për sekondë.
I ndodhur në Pogradec, korrespondenti i “Shekulli”-t u shpreh se burimet nënujore të zbuluara ndodhen në një thellësi prej 176 metrash, ndërkohë që mësohet të kenë një sipërfaqe të barabartë me një fushe futbolli.
Gjithashtu u cilësua se dy prej burimeve nënujore të zbuluara nga kompania zviceriane ndodhen në pjesën e ujërave territoriale shqiptare dhe burimi i tretë në ujërat maqedonase. Pritet që së shpejti kompania të sjellë edhe fakte të tjera lidhur me zbulimin e ri të kryer në liqenin e Ohrit, si dhe pamje të këtyre burimeve nënujore të sapozbuluara.