Mungojnë avokatët, s'ka gjyqe në Gjirokastër
Në një letër zyrtare drejtuar autoriteteve më të larta të vendit duke nisur nga Presidenti, Kryeministri, kryetarja e kuvendit, ministri i Drejtësisë, ministri i Brendshëm, Avokati i Popullit, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe Prokurorja e Përgjithshme, avokatët kanë kërkuar që të rivendoset normalitet dhe të vihen përpara përgjegjësisë “autorët monstruozë që guxuan të organizonin këtë ngjarje të shëmtuar”.
Gjithçka e ka zanafillën më datën 5 shtator kur forcat e policsë gjatë një kontrolli, shoqëruan dhe mbajtën në komisariat për 15 minuta avokatin Bernard Aliko. Shoqërimi i mbrojtësit ligjor u bë ndërsa kërkohej një tjetër person. Pas ngjarje vetë avokati Aliko ngriti një padi në prokurori ku kërkoi dorëheqjen e drejtorit të policisë së Gjirokastrës, duke e quajtur prangosjen e tij një akt të papërgjegjshëm.
Megjithatë, deri më sot nga institucionet më të larta të vendit nuk ka asnjë reagim lidhur me akuzat apo dhe bojkotimin e seancave gjyqësore në rreth për shkak të avokatëve.
Ndërkohë në Gjykatën e Gjirokastrës po vijnë për vijimin e gjyqeve gjyqtarë të Sarandës, ndërsa bëhet e ditur se mbi 70% e gjyqeve vazhdojnë të shtyhen. Kryetari i Gjykatës së Faktit në Gjiorkastër, si dhe ai i Apelit janë shprehur se bojkotimi nga ana e avokatëve ka shkaktuar shumë probleme me zhvillimin normal të punës në sistemin e drejtësisë.