Egjipt, të paktën 12 të vdekur në protesta

Kanë hyrë në ditën e tretë protestat në Sheshin Tahrir në Kajro, në të cilat po kërkohet tranzicion më i shpejtë në pushtetin civil në Egjipt.
Raportohet se gjatë përleshjeve mes forcave të sigurisë dhe protestuesve janë vrarë të paktën 12 persona.
Dhuna po ndodh, pak më tepër se një javë para se egjiptianët të fillojnë të votojnë në zgjedhjet parlamentare, më 28 nëntor, që janë zgjedhjet e para pas përmbysjes së ish presidentit, Hosni Mubarak.
Raportohet se në protestën e djeshme, qindra ushtarë dhe policë kanë përdorur gaz lotsjellës dhe plumba gome, për t`i larguar protestuesit nga Sheshi Tahrir, ish qendra e protestave, që çoi në rënien e regjimit më se 30-vjeçar të Mubarakut.
Agjencia shtetërore e lajmeve e Egjipitit, duke u mbështetur në Ministrinë e shëndetësisë, tha se 10 persona janë vrarë të dielën, ndërsa gjatë disa ditëve të trazirave janë plagosur afro 1700 të tjerë.