E Diel, 1 Nëntor 2026

Vatikani: Martirët e Otrantos vrarë nga turqit, më 1480, do të shpallen shenjtorë

21-12-2012 / Gazeta 55

Gjatë audiencës së djeshme me Prefektin e Kongregatës së Vatikanit për Çështjen e Shenjtorëve, kardinalin Amato, Papa Benedikti XVI ka njohur mrekullinë, që i atribuohet ndërmjetësimit të të Lumturve Antonio Primaldo e Shokëve, Martirë, vrarë më 13 gusht të vitit 1480 në Otranto të Italisë nga Turqit. Ky pranim zyrtar i mrekullisë nga Papa e hap udhën drejtë kanonizimit të tyre. Është fjala për martirë të vrarë nga Turqit e Ahmet Pashkët gjatë rrethimit të qytetit të Otrantos nga 28 korriku deri më 13 gushtin e vitit 1480, të cilët nuk pranuan t’i binin mohit Krishtit e për shkak të fesë tyre të gjallë e të patundur të krishterë, u vranë prej turqve.
Emrave e Antonio Primaldo dhe shokëve të tij laikë, viktima të martirizimit të 13 gushtit 1480 në Otranto të Pulies nga ana e turqve, na kujtojnë këtë ngjarje të largët, po që vijon të kujtohet e të vlerësohet nga Kisha katolike, sepse martirët e Otrantos derdhën gjakun pikërisht për arsye se nuk pranuan ta mohonin Zotin e tyre, Jezu Krishtin. Atë ditë – tregojnë kronikat – qyteti i Otrantos u rrethua nga një flotë turke, e udhëhequr nga admirali i madh i perandorisë otomane, Gedik Ahmed Pasha. Garnizoni aragonas, që mbronte qytetin, nuk mundi t’i bëjë ballë sulmit turk e u detyrua të tërhiqej. Turqit mundën të hynin ndërmjet mureve, që mbroheshin vetëm nga qytetarët. Kapën me qindra e vijuan t’i masakronin tri ditë me radhë. Ra martir, ndërmjet tjerëve, edhe ipeshkvi Stefano Pendineli, duke larë me gjak Kishën Katedrale të tij të famshme për dyshemenë më të bukur mesjetare, stolisur me mozaikë.
Ahmed Pasha dha urdhër të mbyteshin të gjithë meshkujt mbi moshën 15 vjeç, që ishin kapur gjatë pushtimit. Ishin rreth 800 vetë. Më 13 gusht 1480 u propozuan të zgjidhnin ndërmjet mohimit të fesë e vdekjes. Sipas traditës, në emër të të gjithëve u përgjigj qethësi plak i deleve, Antonio Primaldo, që tha pa i dridhur qerpiku: “Deri tani kemi luftuar për të mbrojtur atdheun tonë, pasuritë tona e jetën tonë: tani na takon të luftojmë për të mbrojtur Jezu Krishtin e për të shpëtuar shpirtrat tonë”. Atëherë, në grupe prej 50 vetësh, i çuan në kodrën, që asokohe quhej “e Minervës”, ndërsa më pas, “Kodra e martirëve”, ku Turqit ua prenë kokat. Trupat e tyre u lanë mbi dhe për një vit rresht, deri më 15 gusht 1481, kur të krishterët e çliruan qytetin e Otrantos nga forcat otomane. Atëherë reliket e martirëve, të kthyera dalë-nga–dalë në skelete para syve të tmerruar të qytetarëve, u mbartën e u varrosen me nderim të thellë. E tani nderohen si relike shenjtorësh. Në vitin 1539 me propozim të Kryetarit të Bashkisë së Otrantos, Giovanni Francesco de Cesanis, për çështjen e formës së kultit, që besimtarët e qytetarët i bënin Martirëve të vrarë mbi Kodrën e Minevrës, paraqitur nga kryeipeshkvi Pietro Antonio de Capua (1536-1579), Vikari shpirtëror imzot Antonio De Beccariis, Ipeshkëv i Shkodrës, nga 17 qershori deri më 22 shtator përpiloi dëshmitë e dhjetë “Qytetarëve të nderuar...të vlerësuar nga të gjithë si dëshmitarë, si të ndershëm e të mirë, e shëndosh nga mendja”, pra përpiloi ‘Informatio’ (Të dhënat apo “Procesin e Parë Kanonik të Otrantos”) mbi historinë e kultin e Martirëve si dhe mbi shenjat e mrekullueshme që janë bërë prej tyre. Më pas procesi kanonik vijoi deri me dekretin e Papës Klementit XIV më 14 shtator 1771 kur i shpall të Lumtur. Festën e tyre liturgjike, kalendari kishtar e kujton më 14 gusht.
Papa, të rinjve të Veprimit Katolik: Kush kërkon Zotin gjen jetën, gëzimin, dashurinë dhe paqen/Shpesh njerëzit mendojnë se mund ta gjejnë vetë jetën, gëzimin, dashurinë, paqen, por është vetëm Zoti, që mund të na i dhurojë: kështu u tha Papa Benedikti XVI të rinjve të Veprimit Katolik, të cilët i priti në Vatikan për shkëmbimin e urimeve të Krishtlindjes. Takim festiv e familjar, gjatë të cilit Ati i Shenjtë foli për njeriun, që kërkon gjithçka, pa e ditur se kërkon Zotin, autorin e vërtetë të jetës dhe të gëzimit. Pikërisht këtë vit, të rinjtë e Veprimit Katolik reflektuan mbi temën “Në kërkim të autorit”. Përmes Jezu Krishtit, u tha Papa, Hyji na jep atë gëzim, që na mbetet përgjithmonë: “Mbajeni mend, të dashur miq: sa më shumë të mësoni si të hyni në dialog me Të, aq më shumë do të ndjeni kënaqësi në zemër e do ta kapërceni ndonjë trishtim të vogël, që nganjëherë, na shqetëson shpirtin”.
Njeriu kërkon dashurinë, por do ta gjejë vetëm në Zotin, autori i dashurisë. Nuk mund të jetojmë vetëm, të mbyllur në vetvete, pohoi Benedikti XVI: “Të gjithë kemi nevojë të duam dikë e ta ndjejmë se dikush na pranon e na do. Ta ndjejmë që na duan, është e nevojshme për jetën, por është po aq e rëndësishme të jemi në gjendje t’i duam të tjerët, për ta bërë të bukur jetën e të gjithëve, edhe të bashkëmoshatarëve në situata të vështira. Jezusi na e ka bërë të dukshme, me jetën e Tij, se Zoti i do të gjithë, pa dallim, e dëshiron që të gjithë të jetojnë të lumtur”.
Për këtë, Papa kujtoi nismën e Veprimit Katolik për të ndihmuar konkretisht të rinjtë e pastrehë egjiptianë. Në fund të fundit, theksoi Ati i Shenjtë, njeriu kërkon paqen, për të cilën bota ka aq nevojë: “Shpesh, njerëzit mendojnë se mund ta sjellin vetë paqen, por është e rëndësishme të kuptohet se vetëm Zoti mund të na dhurojë një paqe të vërtetë e të qëndrueshme. Nëse do të dimë ta dëgjojmë, nëse i hapim një vend në jetën tonë, Zoti e shkrin egoizmin, që shpesh i ndot marrëdhëniet ndërmjet njerëzve dhe kombeve e, zgjon dëshirën e pajtimit, të faljes e të paqes, edhe në atë, që e ka zemrën gur”. Kush kërkon Autorin e madh të jetës, të gëzimit, të dashurisë e të paqes, vërejti Benedikti XVI, do të zbulojë se ky Autor nuk është kurrë larg, madje, është krejt afër: “është Zoti që bëhet foshnjë në Jezu Krishtin!”
Marrë nga Radio Vatikani

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›