E Diel, 1 Nëntor 2026

Egjipti apel ndërkombëtarëve për presion ndaj Izraelit

Kajro - Egjipti i bën apel opinionit ndërkombëtar për t’i bërë presion Izraelit në mënyrë që të pranojë zgjidhjen me dy shtete. Deklarata vjen nga shefi i diplomacisë egjiptiane, Ahmed Abul Gheit, i cili rithekson nevojën për përfundimin e konflikteve të Izraelit me palestinezët.

Abul Gheit i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të "marrë përgjegjësitë e tij për ta detyruar Izraelin të pranojë një zgjidhje me dy shtete (atë izraelit dhe palestinez) dhe të bëjë hapa drejt zbatimit të tij", deklaroi në një komunikatë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme egjiptiane, Hosam Zaki.

Shefi i diplomacisë, vendi i të cilit është i lidhur me shtetin hebre me një traktat paqeje, i bëri thirrje gjithashtu Izraelit "të ndalojë kolonizimin".

Krijimi i një shteti palestinez dhe ndalimi i kolonizimit në territoret palestineze kërkohen nga Plani i Punës, një plan ndërkombëtar paqeje, i pranuar në vitin 2003 nga Izraeli. Por, ky plan ka mbetur vetëm në letër.

Kryeministri i djathtë izraelit, Benjamin Netanjahu, nuk ka pranuar deri tani të shprehet publikisht për krijimin e një shteti palestinez dhe parashikon të vazhdojë ndërtimin e kolonive hebreje.

Gjatë vizitës së fundit në Shtetet e Bashkuara, ai u rezistoi thirrjeve të Barak Obamës lidhur me këto dy pika duke u shprehur në të njëjtën kohë se parashikon "një rregullim" të çështjes ku izraelitë dhe palestinezë do të jetojnë përkrah njëri-tjetrit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›