E Diel, 1 Nëntor 2026

Egjipti e gdhin në rrugë, por nuk mungojnë incidentet

EGJIPT- Egjipti fitoi 2-0 ndaj Algjerisë dhe tashmë dy skuadrat do të luajnë një ndeshje shtesë në Sudan për të përcaktuar se kush do të shkojë në Botëror. Ndeshja, që kishte marrë përmasat e një lufte të vërtetë para saj, u vendos nga një gol i minutës së 95-të i Emat Moteb, që i dha një tjetër shans skuadrës kampione të Afrikës. Kjo fitore është pritur me festime të ndryshme në gjithë qytetin, teksa mijëra tifozë kanë qëndruar jashtë mureve të stadiumit të Kajros pasi nuk kanë gjetur biletë. Dy skuadrat shquhen për rivalitetin e madh midis tyre, por edhe tensionin që shoqëron herë pas here këto përballje. Por, nuk kanë munguar incidentet e shumta mes tifozëve. Të dielën në mëngjes, në aeroportin e Kajros, disa tifozë algjerianë kanë kërcënuar me vdekje disa pasagjerë egjiptianë që do të hipnin në avionin e linjës për në Algjer. 4 prej tyre kanë preferuar të zbresin. Policia kishte marrë masa të forta në aeroport, duke ndryshuar madje edhe sallat e pritjes së pasagjerëve. Po kështu 4 autobusë të tifozëve algjerianë sipas AFP janë goditur me gurë nga ata egjiptianë në dalje të stadiumit. Probleme ka patur edhe në Marsejë të Francës ku ka një numër të madh tifozësh algjerianë. Ndërkohë, i gjithë Egjipti ka përjetuar një natë lavdie të shtunën duke gdhirë e diela. Televizionet kanë transmetuar gjatë gjithë natës imazhet e ndeshjes, ndërkohë që festimet kanë vazhduar për gjithë natën, madje edhe në Gaza. Po kështu, mediat kanë njoftuar se janë me mijëra tifozët egjiptianë që kanë nisur të udhëtojnë drejt kryeqytetit të Sudanit Kartum, ku do të luhet ndeshja shtesë mes Egjiptit dhe Algjerisë.
(e.n/A.Latifi/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›