E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Ftova ambasadorët për ekspertizë për çështjet e drejtësisë”

 

Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, zbardhi dje qëllimin e takimit të dy ditëve më parë me ambasadorët e Trojkës Evropiane dhe ambasadorin amerikan në Tiranë. E pyetur dje nga gazetarët pas Konferencës së Kryetarëve, Topalli tha se kishte ftuar ambasadorët për t’u konsultuar për çështjet e drejtësisë. “Isha unë që kisha ftuar ambasadorët për çështje që kanë lidhje me drejtësinë dhe për mbështetjen që përmes ekspertizës ata mund të japin”, u shpreh Topalli. Kryetarja e legjislativit shprehet e gatshme të dialogojë sipas këshillës së ndërkombëtarëve, por një gjë e tillë sipas saj bëhet vetëm në Kuvend. “Absolutisht dialogu është i nevojshëm dhe dialogu dhe çdo kompromis bëhet në Parlament. Unë do të dëshiroja që me rastin e buxhetit që është momenti themelor kur përcaktohet rritja e rrogave, rritja e pensioneve, investimet që do të bëhen, ulja e deficitit buxhetor, ulja e shpenzimeve operative, është një rast për të ardhur në Parlament dhe për të kontribuar në atë që është momenti ekonomik, natyrisht edhe në të gjitha reformat e tjera”, tha Topalli. Dy ditë më parë, pas një takimi me kryeparlamentaren Topalli, në praninë dhe të ambasadorit suedez, atij spanjoll dhe të Këshillit të Europës, Helmut Lohan, diplomati amerikan e quajti këtë ngërç si një pikëpyetje të ndërkombëtarëve kundrejt politikës shqiptare. “Të gjithë e ndjejmë që mosqenia e opozitës në Parlament nuk është në të mirën e vendit. Do të na pëlqente ta shihnim këtë çështje të zgjidhur, sepse është absolutisht e rëndësishme dhe një pikëpyetje për politikën shqiptare. Shpresojmë ta zgjidhin sa më parë dhe gjërat të vazhdojnë ashtu siç duhet”, tha Uidhers.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›