Egjipti, lehtëson pengesat në kufirin në Rripin e Gazës
Egjipti ka lehtësuar pengesat për kalimin e kufirit nga kombësorët në Rripin e Gazës. Palestinezët e konsiderojnë këtë një hap të madh përpara, drejt heqjes së bllokadës katër vjeçare që Izraeli dhe Egjipti kishin vënë mbi këtë rajon. Egjipti filloi të lehtësonte bllokadën këtë vit, pas rrëzimit të presidentit egjiptian Hosni Mubarak, duke e hapur në mënyrë sporadike këtë pikëkalim për personat me leje të veçanta kalimi, për arsye mjekësore apo nevoja të tjera. Tani pikëkalimi do të qëndrojë i hapur me orar të rregullt për të gjithë personat përveç meshkujve nga mosha 18-40 vjeç. Ata që kaluan kufirin të shtunën, e cilësuan lehtësimin e pengesave si një çlirim pas mbylljes disa vjeçare të imponuar nga Izraeli dhe Egjipti. Egjipti nën qeverisjen e Mubarakut bashkëpunonte me Izraelin për mbylljen e Rripit të Gazës pasi kjo zonë u fut nën kontrollin e grupit ekstremist islamik Hamas. Egjipti vendosi t`i lehtësojë kufizimet pasi Hamasi nënshkroi kohët e fundit një marrëveshje ripajtimi me fraksionin Fatah që kontrollon Bregun Perëndimor.
Hamasi e konsideron qeverinë e përkohshme që zëvendësoi zotin Mubarak si më të zbutur ndaj kauzës palestineze dhe dje përshëndeti vendimin e Egjiptit për të lehtësuar kufizimet. Në komentet e një dite me parë, në pikëkalimin kufitar, Gazi Hamad, një zyrtar i lartë i Hamasit e cilësoi këtë, fillimin e një epoke të re për popullin e Gazës dhe për bashkëpunim më të ngushtë me Egjiptin:
"Pikëkalimi është fryt i revolucionit egjiptian dhe i ripajtimit. Shpresoj që hapja e pikëkalimit do të nxisë ripajtimin dhe do të mbështesë marrëdhëniet mes egjiptianëve dhe palestinezëve”. Izraeli po i ndjek me shqetësim zhvillimet në kufi. Zyrtarët izraelitë kanë paralajmëruar se lehtësimi i kufizimeve në kufirin me Egjiptin mund t`u hapë rrugën terroristëve dhe trafikantëve të armëve.