E Diel, 1 Nëntor 2026

Jahjaga: Kosova u prezantua si shtet

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga është kthyer të dielën nga vizita zyrtare në Poloni, ku mori pjesë në Samitin e 17-të të presidentëve të vendeve të Evropës Qendrore. Në Aeroportin e Prishtinës, Jahjaga u prit me ceremoni zyrtare nga Garda e Nderit e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

“Ishte hera e parë që Kosova mori pjesë në diskutime, jo vetëm për çështjet e brendshme të saj, por në çështjet e përgjithshme që janë brengë e të gjitha shteteve të Evropës. Unë personalisht e konsideroj këtë si një të arritur shumë të madhe, që Kosova më në fund po prezantohet si shtet i barabartë me të gjitha shtetet dhe mund të japë kontributin e saj në një nivel të barabartë edhe me presidentët e vendeve të tjera të Evropës”, ka thënë Jahjaga.

Presidentja ka thënë se çështja e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sigurisht ka qenë temë e takimeve që ka pasur me homologë të saj.

“Qëndrimi im ka qenë qëndrimi që gjithnjë kam pasur, që ky është një dialog teknik, në të cilin diskutohen çështje teknike që lehtësojnë jetën e qytetarëve, si të Republikës së Kosovës, po ashtu edhe të Republikës së Serbisë dhe çdo çështje tjetër që hapet, sa i përket riorganizimit të brendshëm apo çështjen e statusit, këto janë çështje që kanë vijën e kuqe. Unë disa herë e kam përmendur çështjen e vijës së kuqe dhe këtu nuk do të ketë asnjë diskutim”, ka thënë Jahjaga, njoftoi Zyra për Informim e Presidencës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›