Egjipti nuk lejon largimin e Mubarakut nga vendi
Egjipti ia ka ndaluar ish-presidentit, Hosni Mubarak dhe familjes së tij të udhëtojnë jashtë vendit dhe gjithashtu ka urdhëruar ngrirjen e pasurisë së tyre.
Zëdhënësi i prokurorit të përgjithshëm tha se Mubaraku dhe familja e tij janë ndaluar të lëshojnë vendin, derisa po hetohen pretendimet për grumbullimin e pasurisë së tyre.
Mubarak dha dorëheqje më 11 shkurt, pas 18 ditë protestash që kapluan pothuajse tërë vendin.
Besohet se ai, gruaja e tij, dy bijtë dhe bashkëshortet e tyre kanë përfituar miliarda dollarë gjatë sundimit 30 vjeçar të Mubarakut.
Në anën tjetër, një panel ekspertësh, i ngritur nga këshilli ushtarak që po udhëheq Egjiptin, ka shpallur pakon e parë të reformave politike që prej revolucionit.
Sobhi Saleh, anëtar i komitetit gjyqësor i emëruar nga këshilli ushtarak, theksoi për Reutersin se ushtria do të abrogojë një ligj që i jepte të drejtën presidentit të rrëzuar, Hosni Mubarak, të vendoste se kush do të lejohet të krijojë një parti.
Paneli pritet gjithashtu të thërrasë një referendum në mars për ndryshime historike kushtetuese, përfshirë reformat që do të hapin konkurrimin për presidentin e vendit, post të cilin Mubaraku e mbajti për më shumë se 30 vjet, deri në momentin e përmbysjes së tij.