E Diel, 1 Nëntor 2026

Egjipti shumë shpejt do të marrë vendim për njohjen e Kosovës

Nga Express më 15 korrik 2011 në ora 16:59

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se njohja e pavarësisë së Kosovës nga ana e Egjiptit do të ishte një përmbyllje e ciklit të miqësisë historike mes dy popujve.

Me ftesë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, një delegacion i gjerë i gazetarëve dhe përfaqësuesve të tjerë të shoqërisë civile nga Egjipti, po qëndrojnë për vizitë tre ditore në Kosovë.

Delegacioni i shoqërisë civile dhe medieve egjiptiane, gjatë qëndrimit në Republikën e Kosovës, janë pritur nga ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj.

Në këtë takim, ministri Hoxhaj ka informuar gazetarët për reformat e brendshme dhe rëndësinë e fuqizimit të pozitës ndërkombëtare të Republikës së Kosovës.

Ai ka thënë se kultivimi i marrëdhënieve të mira mes Republikës së Kosovës dhe Egjiptit është investim në histori dhe në të ardhmen e dy shteteve.

Nga ana tjetër kryesuesi i delegacionit të shoqërisë civile dhe medieve egjiptiane, ambasadori Mohamed Fathy Rifah El Tahatavi ka siguruar ministrin Hoxhaj se Egjipti shumë shpejt do të marrë vendimin për njohje e Republikës së Kosovës.

“Njohja e Kosovës nga Egjiptit do të vijë në një moment të rëndësishëm për Republikën e Kosovës që do ta arsyetojë tërë vonesën e deritashme”, ka paralajmëruar ai.

Vizita e delegacionit të gjerë egjiptian në Kosovë, pritet të ketë efekte të rëndësishme në avancimin e qëndrimit të opinionit publik dhe elitës politike në Egjipt, sidomos pas ndryshimeve demokratike të muajve të fundit, karshi njohjes së shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›