16 kandidatë për drejtor të QKUK-së
Në konkursin e rishpallur për drejtor ekzekutiv të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) deri më datën 15 korrik 2011, ditë kjo, kur pritet edhe të mbyllet ky konkurs, kanë konkurruar 16-të kandidatë. Por, zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë thonë se do të pritet edhe disa ditë, për të parë nëse ka ndonjë aplikacion përmes postës.
Drejtori për informim në Ministrin e Shëndetësisë, Faik Hoti ka thënë për Kosovapress se tashmë në këtë konkurs kanë aplikuar 16-të kandidatë, të cilët synojnë postin e të parit në QKUK.
“Deri më datën 15 korrik 2011, në mesdite, në konkursin e rishpallur për drejtor ekzekutiv të QKUK-së kanë konkurruar 10 kandidatë, Haxhi Avdyli, Afrim Loku, Irfan Daullxhiu, Ramë Miftari, Sylen Vranica, Njazi Gashi, Sali Krasniqi, Fitim Selimi, Skënder Murati, Hysen Hyseni, Bajram Koci, Nexhmedin Shala, Engjell Duzhmani,
Muharrem Mustafa, Mehmet Maxhuni dhe Bedri Zaiti”, ka thënë Hoti.
Ai ka thënë se pritet që kandidatë të tjerë të aplikojnë edhe gjatë kësaj dite, mirëpo sipas tij sigurisht do të pritet edhe për disa ditë nëse do të ketë edhe ndonjë aplikacion përmes postës.
Ndërkaq ka theksuar se ministri Ferid Agani ka kërkuar që të procedohet sipas ligjit zgjedhja e drejtorit të ri ekzekutiv të QKUK-së.
“Pas mbylljes së konkursit, ministri ka kërkuar që të procedohet sipas ligjit dhe zgjedhja e drejtorit të ri ekzekutiv të QKUK-së të bëhet brenda afatit optimal, duke respektuar procedurat e Ligjit për shërbimin civil në Kosovë dhe rregullat e tjera”, ka pohuar Faik Hoti.
Sa i përket kritereve të caktuara, të cilat kërkohen për pozitën e drejtorit të këtij institucioni terciar, Hoti ka thënë se është administrata e MSH-së, e cila i pranon aplikacionet dhe shqyrton edhe rregullsinë e tyre, plotësimin e kritereve dhe çështjeve të tjera që lidhen me fazën para testuese të kandidatëve.
Ndërsa theksoi se pas kësaj, do te procedohet me formimin e panelit intervistues nga sekretari i përgjithshëm dhe fillimi i procedurave te testimit dhe përzgjedhjes.
Konkursi për drejtor të QKUK-së është shpallur për herë të parë më 13 maj të këtij viti dhe pas një zvarritjeje dy mujore për formimin e panelit intervistues u anulua me 30 qershor, për t’u rihapur më 1 korrik. Arsyeja e anulimit sipas zyrtarëve të MSH-së ka qenë se nuk është plotësuar njëri nga kriteret që kërkohet për pozitën e drejtorit të QKUK-së, që kandidatët konkurrent të kenë së paku shtatë vjet pune në sistemin shëndetësor.