E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuçi: Dialogu nuk duhet të dëmtojë statusin e Kosovës

Nga Express më 15 korrik 2011 në ora 17:01

Komisionari evropian për Zgjerim, Stefan Fyle, ka bërë të ditur se në fillim të shtatorit në Kosovë do të vijë një komision për të shikuar progresin e arritur në përmbushjen e kushteve për liberalizimin e vizave.

Ai këto komente i bëri të premten gjatë një takimi në Bruksel, me
zëvendëskryeministrin e Kosovës, njëherësh ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuçi, nga i cili është njohur me përkushtimin e institucioneve të Kosovës, për plotësimin e kushteve për liberalizim të vizave dhe integrim në BE, si dhe për nevojën e Kosovës për marrëdhënie kontraktuale me BE-në.

Në këtë takim zëvendëskryeministri Kuçi ka thënë se dialogu për çështje teknike me Serbinë nuk duhet të dëmtojë statusin e Kosovës, por duhet të ndihmojë konsolidimin e raporteve në rajon dhe procesin e integrimeve evropiane.

Në këtë takim u bisedua për nevojën e integrimit të plotë të veriut në institucionet e Kosovës dhe për Raportin e Progresit. Zëvendëskryeministri Kuçi ka thënë se Raporti i Progresit paraqet një vlerësim të punës institucionale nga BE-ja, por edhe nga qytetarët e Kosovës, ndërsa që të dy u pajtuan që pas prezantimit të këtij raporti do të ketë një takim të përbashkët që të vlerësohet ky dokument.

Po sot, zëvendëskryeministri Kuçi takoi Jonas Jonson, udhëheqës i Njësisë për Ballkanin Perëndimor të Këshillit të BE-së dhe Ana Maria Boura, zyrtare e lartë në Njësinë për Ballkanin Perëndimor në Këshillin e BE-së, me të cilët bisedoi për progresin e arritur në ndërtimin e rendit dhe ligjit në Kosovës, si dhe për bashkëpunimin me EULEX-in.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›