Interesim i madh për regjistrim në UP
Mijëra të rinj që kanë përfunduar shkollimin e mesëm dhe kanë kaluar testin e maturës ua kanë mësyrë dyerve të Universiteti të Prishtinës. Ata të cilët tashmë kanë aplikuar ankohen për radhë të gjata dhe vonesa në pranimin e dokumenteve, ndërsa zyrtarët e Universitetit thonë se pothuajse në të gjitha fakultetet ka një interesim relativisht të mirë.
Vërejtje më të mëdha konkurruesit kanë për sistemin online, metodë kjo e aplikuari për herë të pare këtë vit. Granit Shala thotë se ka aplikuar në Fakultetin Juridik, por gjatë proceduarve të aplikimit online i është dashur të pres dy- tri ditë derisa i është mundësuar të aplikojë sërish.
“Kam aplikuar në Juridik. Në fillim kam pasur vështirësi me aplikimin online, nuk më kanë kthyer e-mail-in hiq dhe më është dashur të presë dy-tri dit derisa e kanë zhbllokuar për të aplikuar prapë”, ka thënë Shala.
Ndërsa ankesat e studentit Arian Llukaj kanë të bëjnë me radhët e gjata që krijohen gjatë aplikimit.
“Dje kam qenë, por ka pasur shumë kallaballëk. Sot erdha të aplikoj për shkak se ka më pak njerëz. Nuk ka asnjë problem, por ka numër të madh të aplikuesve”, ka thënë ai.
Por, për Faton Morinën procesi i regjistrimit në Universitetin e Prishtinës po rrjedhë pa probleme.
“Sapo isha për të aplikuar, mirëpo tash duhet me dal deri në qytet për të aplikuar përmes internetit. Tani duhet të vij prapë t’i dorëzojë dokumentet për provim pranues. Nuk kam pasur ndonjë vështirësi, çdo gjë është në rregull”, ka thënë Morina.
Bajram Berisha, prorektor në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës, pranon se në ditën e parë kur është hapur konkursi ka pasur probleme teknike, të cilat tashmë sipas tij janë tejkaluar.
“Dita e parë ka qenë me pak vështirësi për arsye se në sistemin online janë paraqitur shumë aplikues për një kohë deri sa është intervenuar është verifikuar se ato janë të dhëna të sigurta dhe pastaj nuk kemi pasur telashe të mëdha dhe dita e djeshme është kaluar pa ndonjë telashe. Ekziston një problem në qoftë se këta kanë bërë një gabim të caktuar dëshiron me ndërruar drejtimin, duhet patjetër të shkohet në qendër të IT informatat, në mënyrë që ky të ketë mundësi mu regjistruar me një drejtim tjetër”, ka thënë Berisha.
Sipas tij, gjendja në ditën e tretë të aplikimi është normalizuar dhe se gjithçka po shkon sipas planit të paraparë. Ai ka bërë të ditur se deri dje në ora 16 në sistemin online janë paraqitur 9.003 studentë, ndërsa gjatë ditës së sotme ky numër pritet të kalojë 10 mijë.
Ndryshe sipas zyrtarëve të UP-së, për dallim nga viteve e tjera, kësaj radhe vërehet se studentët kanë filluar të zgjerojnë gamën e interesit dhe pothuajse në të gjitha fakultetet ka një interesim relativisht të mirë. /kosovapress/