Egjipti voton per te dyten dite
Egjiptianët votojnë për të dytën ditë radhazi për të zgjedhur presidentin e vendit në të parat zgjedhje të lira e demokratike në vend. Kandidati islamik Mohammed Mursi është në garë me Ahmet Shafiq një ish zyrtar i regjimit të presidentit Hosni Mubarak . Votimet dyditore do të nxjerrin të parin president të vendit të zgjedhur në mënyrë të lirë. Gjeneralët në pushtet kanë premtuar t’ia kalojnë qeverisjen e vendit fituesit në datën 30 qershor, por shumë prej atyre që morën pjesë në revolucionin e vitit të kaluar e konsiderojnë alternativën e ofruar jofrymëzuese, e madje disa bënë thirrje për bojkotimin e zgjedhjeve apo prishjen e qëllimshme të fletëve të votimit.
Situata përpara balotazhit ka qenë e tensionuar për shkak të vendimit të Gjykatës së Lartë për shpërbërjen e parlamentit. Të enjten, anëtarët e saj, të caktuar në kohën e Mubarakut, vendosën t’i shpallnin jokushtetuese të parat zgjedhje demokratike të vendit në më shumë se 6 dekada, për shkak se eksponentë partiakë u lejuan të kontestonin vendet në Dhomën e Ulët, të cilat i ishin rezervuar të pavarurve. Partia e Mursit për Liri dhe Drejtësi kishte fituar 100 prej 235 vendeve në Asamblenë e Populit me kandidatë për vendet individuale e një sukses të ngjashëm kishin patur edhe ultrakonservatorët salafistë, me vende të parashikuara për kandidatët e pavarur.