Eglantina Cenomeri sjell "Të zhdukurit" në Teatrin Kombëtar
"Knepp" është historia e një diktature, e një grushti shteti... Shumë të rinj u rebeluan dhe filluan përleshjet. Pati një presion të fortë në arrestime, pushkatime dhe zhdukje... Regjisorja Eglantina Cenomeri, më datat 1 dhe 2 nëntor, do të ngjisë në skenën e Teatrit Kombëtar, në kuadrin e Festivalit Teatror të të Rinjve, shfaqjen e titulluar "Knepp". E shkruar prej George Goldenberg, me aktorët Rozina Prendi (Kostani) - Maria Elena, Saimir Sina (Knepp), Violeta Banushi (nëna), Gjergj Mena (Luigji) dhe Elidon Alika (polici), shfaqja ndërtohet mbi historinë e një gruaje. Skenografia e krijuar nga Edlira Qyshka na vendos në dhomën e vajzërisë së Maria Elenës, ndoshta personazhi më njerëzor dhe më me ngjyra në krejt veprën. Gruaja e tronditur thellësisht, "e lajthitur" nga presioni i fuqishëm, por që në fund zgjedh të mos çmendet plotësisht, por të vetësakrifikohet duke mos besuar se bashkëshorti i saj ka vdekur. "Vepra është shumë aktuale për vendin tonë, për atë që vendi ynë ka kaluar gjatë diktaturës komuniste, pasojat e së cilës ne ende vazhdojmë t‘i vuajmë", vëren regjisorja Cinomeri. Sipas saj, vepra rrëfen për çfarë dhuna lë pas, ndaj në vepër nuk ka ngjarje por pasoja. Ndaj për këtë ka lidhje edhe me luftën e Kosovës. "Knepp" është historia e mijëra personave që nga viti 1976-1983 u mbajtën në kampe përqendrimi, u torturuan, u masakruan dhe u vranë fshehtësish. Goldenberg e ka ndërtuar këtë dramë në periudhën e diktaturës në kohën e "Desaparecidos" (Të zhdukurit) dhe pasqyron në një formë të tërthortë dhunën dhe masakrat që kryheshin asokohe. Autori ka krijuar dy personazhe, si Knepp, që simbolizon fizionominë e akullt të diktatorëve dhe Maria Elena që personifikon pjesën bashkëvuajtëse popullore. Ajo është e dhunuar psikologjikisht, të shoqin e ka zhdukur në mënyrë të mistershme diktatura. Ajo vuan frikën, tmerrin, pamundësinë për të vepruar dhe humbet kështu jetesën brenda një realiteti normal dhe jeton trysninë e Knepp-it, i cili nuk ekziston. Por persona si ai kishin thelluar rrënjët kudo dhe ky fakt krijon te Maria Elena një psikozë që e bën atë të ndërtojë figurën e Knepp-it brenda ambientit ku ajo jeton.