"Egnatia" Group,tatimpaguese e rregullt
ELBASAN - Drejtoria e Tatim-Taksave në Elbasan ka përgënjeshtruar lajmin mbi falimentimin e disa subjekteve shtetërore dhe private, të cilat jo vetëm janë duke vijuar normalisht aktivitetin e tyre, por ato janë ndër tatimpaguesit më të rregullt në qarkun e Elbasanit. Këtë fakt e ka pohuar ditën e djeshme për gazetën "Panorama" drejtori Rajonal i Zyrës së Tatimeve me seli në Elbasan, Skënder Daja. Një prej tyre është dhe subjekti "Egnatia" Group, që sipas Dajës ushtron veprimtarinë e saj konform ligjit dhe është një tatimpagues i rregullt i akcizës dhe i detyrimeve të tjera tatimore. Ky subjekt vepron në Elbasan prej vitesh dhe është një ndër furnizuesit kryesorë me verë e pije të tjera të trevave shqiptare. Sipas kreut të Tatim-Taksave, të dhënat e kësaj drejtorie tregojnë se janë dërguar në gjykatë disa kërkesa për fillimin e procedurave të falimentimit për 16 subjekte, midis tyre dhe shtetërore. Krahas tyre, në proces janë dhe 11 subjekte të tjera, të cilat kanë dalë me humbje ose kur Tatim-Taksat kanë konsumuar të gjitha procedurat për vjeljen e detyrimeve. "Për rastet që kanë argumente të duhura dhe të mjaftueshme ne jemi të detyruar të tërheqim kërkesën për shpallje falimenti. Të tilla janë dhe subjekti shtetërorë si: ujësjellësi i fshatit, i cili për humbjet subvencionohet nga ana e shtetit. Në rastet kur kemi subjekte që kanë deklaruar humbjet ne, për të qenë të saktë dhe realë i kontrollojmë ato për ta përcaktuar saktësisht nëse kanë apo jo humbje". a.k