E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korrupsioni, shpallet në kërkim infermierja e tretë

 

Një infermiere e maternitetit "Koço Gliozheni" në Tiranë është larguar jashtë vendit duke i shpëtuar arrestimit me akuzën e korrupsionit të personave që ushtrojnë funksione publike. Burime zyrtare nga hetimi që po zhvillohet ndaj tre mjekëve dhe tre infermiereve të maternitetit, thanë se e dyshuara është ndodhur jashtë Shqipërisë në momentin e caktimit të masave të sigurisë nga Gjykata e Tiranës. Tri ditë më parë, Prokuroria kërkoi masën e arrestit në gjykatë për tre mjekë dhe tre infermiere të akuzuar për marrje ryshfeti gjatë detyrës së tyre në maternitetin "Koço Gliozheni" në kryeqytet. Por ndërsa gjykata vendosi "arrest shtëpie" ndaj tre mjekëve dhe dy infermiereve, mamia e tretë e akuzuar në këtë çështje, i ka shpëtuar arrestimit pasi ndodhet jashtë Shqipërisë. Burimet e Prokurorisë së Tiranës thanë dje se ndaj saj është vendosur masa e sigurimit "arrest shtëpie" në mungesë, e cila do të zbatohet menjëherë sapo e dyshuara të futet në territorin e Shqipërisë. Tri infermieret mësohet se kanë qenë ato që kanë "fundosur" edhe mjekët. Ato u kërkonin para pacienteve duke u thënë se shumat në fjalë do të ndaheshin me mjekët që do të kryenin shërbimet mjekësore për nënat shtatzëna që kanë lindur në maternitet. Në të vërtetë, sipas hetimit, infermieret në dy rastet e filmuara që kanë marrë ryshfet i kanë ndarë paratë me tre mjekët e vënë nën akuzë.   
Dy raste të filmuara
Denoncimet që kanë bërë në polici dy nëna të reja, njëra nga Përmeti dhe tjetra nga Korça, kanë qenë pikënisja e hetimeve ndaj mjekëve dhe infermiereve të vendosura në arrest për korrupsion. Burime nga policia thanë se menjëherë pas dy denoncimeve ka nisur hetimi ndaj mjekëve dhe infermierëve, ndërsa vëzhgimi i tyre ka dokumentuar dy rastet kur personave nga Përmeti dhe Korça u janë marrë para, 150-200 mijë lekë të vjetra për operacion. Policia ka mundur të zbardhë edhe skemën e korrupsionit, se si bashkëpunonin gjinekologu Petrit Rexhepi, reanimatori Dritan Xhangolli, anestezisti Lefter Mano, me dy infermieret mami, Hyrë Reçi e Nilka Perhati. Sipas policisë, e gjithë skema e mitmarrjes përgatitej nga mamitë, duke nisur nga momenti kur pacientet shkonin për t'u vizituar që në muajt e parë të shtatzënisë te materniteti "Koço Gliozheni". Dy infermieret u caktonin takimet me doktorët që do të mbanin në vëzhgim ecurinë e shtatzënisë, e më pas bëheshin pazaret, por pasi ato kishin bindur pacientet që lindja e tyre mund të bëhej vetëm me operacion. Pasi përfitonin paratë që varionin nga 150-200 mijë lekë, i ndanin në pjesë të barabarta me njëri-tjetrin. Prokuroria ka ngritur akuzën e korrupsionit ndaj tre mjekëve dhe tri infermiereve, për të cilët është vendosur masa e arrestit, ndërsa po hetohen edhe disa raste të tjera mitmarrjeje.

Ministria: Tolerancë zero ndaj korrupsionit në shëndetësi

Ministria e Shëndetësisë dënoi dje aktin e mjekëve dhe infermierëve të arrestuar dy ditë më parë, nën akuzën e mitmarrjes. Sipas këtij dikasteri, një fushatë e tillë do të vazhdojë deri në eliminimin e korrupsionit në shëndetësi. Me anë të një deklarate për mediat, u është bërë apel qytetarëve të denoncojnë çdo rast abuzimi. "Duke respektuar pavarësinë e organeve gjyqësore në një hetim të sapofilluar, dhe duke dashur të jetë kontribuuese dhe jo gjyqtarë në këtë proces, MSH shpreh vendosmërinë dhe vullnetin e saj të palëkundur për të çuar deri në fund reformat në të gjithë sistemin tonë shëndetësor", thuhet në deklaratë. Duke marrë shkas nga kjo ngjarje, MSH ka kërkuar   një herë mbështetjen e të gjithë faktorëve. "Përfitojmë nga rasti t'u drejtohemi dhe një herë qytetarëve të këtij vendi që të mos bëhen palë e një fenomeni kaq të dënueshëm, siç është mitmarrja. Ministria e Shëndetësisë tashmë është e vendosur për një tolerancë zero ndaj fenomeneve të tilla. Ne iu ndodhemi përkrah të gjithë atyre mjekëve dhe infermierëve që punojnë me përkushtim në profesionin e tyre dhe sigurojmë dhe njëherë se veprime të tilla nuk mund të cenojnë figurën dhe autoritetin e mjekut", bëri me dije zyra e shtypit. Më tej në deklaratë saktësohet se komunitetit mjekësor e ka kuptuar nevojën dhe rëndësinë e reformave dhe asnjë akt i çfarëdolloj natyrë, qoftë korruptiv apo që cenon etikën e shërbimit mjekësor, nuk do t'i ndalë ato.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›