E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eir Plasari: Shkruaj që të mos ndihem vetëm

“Bërthama”, romani i parë i Eir Plasarit, bijë e dy shkrimtarëve, i vlerësuar me çmimin “Migjeni”, pritet të botohet së shpejti në italisht. Plasari rrëfen hapin e parë drejt të shkruarit

Në sfidën e parë letrare, Eir Plasari ka marrë vëmendjen e një jurie. Në Konkursin Kombëtar Letrar, organizuar çdo vit nga Ministria e Kulturës, u vlerësua me çmimin “Migjeni”, inkurajues për krijuesit e rinj. E bija e Mimoza Ahmetit dhe Aurel Plasarit, aktualisht studente e jurisprudencës në “La Sapienza”, tregon mbi romanin e saj të parë “Bërthama” dhe pasionet ndaj gjinive të tjera të artit.

Si lindi ideja e romanit “Bërthama” dhe pastaj si e trupëzuat ju atë? A ka të shkruarit ndonjë lloj aventure midis realitetit dhe fantazisë? Si ishte për ju ajo?

Ky libër është shkruar në një periudhë ndryshimesh në jetën time. Kishte kaq shumë ngjarje të reja, saqë nuk po vija re se po shkruaja një libër, derisa u bënë disa faqe, të cilat kërkonin titull dhe një botim, për t’u quajtur më pas “roman”. Nuk u mor vesh sesi u krijua dhe nëse sot libri është botuar, me siguri nuk është falë meje. Unë kam tendencën që pasi krijoj i braktis disi krijimet e mia. është një problem i imi: të kesh besim tek vetvetja nuk do të thotë domosdoshmërisht të kesh besim edhe tek ajo që krijon. Të shkruarit nuk e kam konsideruar ndonjëherë si aventurë. Për mua, të shkruarit e këtij libri ishte një mënyrë për të shpëtuar nga ndjenja si dëshpërimi dhe vetmia. Në atë periudhë unë jetoja në Tiranë dhe nuk arrija të përballoja me sportivitet ngjarjet dhe ndryshimet në jetën time. Kam një lidhje emocionale të fortë me personazhet e këtij libri, aq sa për një periudhë më dukej sikur njëri prej tyre (personazhi kryesor) materializohej dhe më fl iste, ndieja prezencën e tij tek ngatërrohej me mendimet e mia.

Në qendër të romanit tuaj është një burrë në moshë të pjekur. Ju përjetoni ndjesitë e tij si të ishin tuajat. Si keni arritur këtu?

është e vërtetë që ka diçka të çuditshme tek krijimi i këtij personazhi. Ka disa faza mendimi tek të cilat kam kaluar për ta krijuar: Faza e parë ishte ajo që më shtyu në krijimin e një personazhi mashkull. Kjo ndoshta ngaqë çdo femër shkrimtare rrezikon të hyjë në sferën e romanit rozë, duke qenë se femrat kanë tendencën të shkruajnë shumë për veten. Për më tepër kërkoja një sfidë, doja një personazh mashkull, doja të flisja ekskluzivisht përmes zërit të tij. Më pas faza e dytë: dëshiroja që ai të kishte anën homoseksuale, sepse në shekullin ku jetojmë është e vështirë të gjesh meshkuj të cilët nuk kanë një anë homoseksuale, qoftë edhe të shtypur e të mbajtur nën hije nga dhuna e shoqërisë bashkëkohore ushtruar mbi to. Faza finale ishte ajo më e çuditshmja. Kur unë zbulova se atë personazh e njihja edhe në jetën reale, se po shkruaja një libër mbi një person të cilin jo vetëm e njihja, por edhe e doja.

Romani juaj u vlerësua menjëherë nga kritika. Gjithashtu ai mori çmimin “Migjeni” në Konkursin Kombëtar të Letërsisë që u mbyll në fi llim të këtij viti. ç’do të thotë për ju ky çmim?

Ishte surprizë. Më gëzoi shumë sepse nuk mendoja se libri do të ngjallte interes. Kur boton një libër është e paqartë për shkrimtarët e vërtetë ajo çka mund të ndodhë, jo më për mua që jam në hapat e para. është mister impakti që libri mund të ketë tek lexuesi, mbetet diçka e paparashikueshme.

Ju edhe vizatoni ndërkohë, shkruani edhe poezi. Jeni pjesëmarrëse e dy edicioneve “Top Fest”, edhe si kantautore. ç’përfaqëson kjo përzierje degëzimesh të artit tek i njëjti individualitet: mbivendosje apo plotësim në sistemin krijues të tij?

Po, ky është një plotësim i vetë ekzistencës sime dhe përveç kësaj edhe një kërkim i përhershëm, një dëshirë për të eksploruar dhe për t’iu hapur të gjitha formave të të shprehurit. Kam menduar gjithmonë se ne njerëzit jemi të veçantë, pikërisht sepse kemi aftësinë për të bërë shumë gjëra njëkohësisht. Punë tjetër pastaj nëse e frenojmë veten.

A mendoni se midis mënyrës sesi jeton artisti dhe asaj sesi ai paraqitet në vepër, ka një lidhje apo ajo është rastësore edhe nëse ka, si e perceptoni ju këtë lidhje?

Jeta është ajo që ndodh gjatë kohës që artisti krijon, pra ju mund ta kuptoni rëndësinë e të krijuarit tek kjo fi gurë. është një jetë plot perceptime, por bëhet gjithmonë edhe më e vështirë me kalimin e kohës. Artistët më janë dukur gjithnjë fi gura të brishta dhe enigmatike, por më duhet të them se unë nuk jetoj si artiste. Ajo që më godet tek fi gura e artistit janë disa momente pothuajse të pakapshme sjelljesh të paparashikueshme, disa gjeste të vogla që të bëjnë të mendosh. Jeta e artistit është diçka e mrekullueshme dhe e pakapshme që ndodh nën hundën e të gjithëve. Them se kam frikë të bëhem artiste, më frikëson fakti se mund të më quajnë kështu një ditë.

ç’mendime keni për brezin tuaj? Cilat janë risitë e tij?

Unë e quaj brezin tim, brezin e “komoditetit”. Ku njerëzit marrin vendime për komoditet, studiojnë për komoditet. Pra çdo iniciativë e tyre i drejtohet komoditetit, jetës mondane dhe qejfi t. Gjë që mua s’më duket shumë e gabuar, por problemi lind kur bashkëmoshatarët e mi më shfaqen para syve si diçka boshe dhe komplet jo interesante, pikërisht sepse tani ka qëllime. Nuk jetojmë për të jetuar, për të bërë diçka të mirë ose diçka ndryshe. Jetojmë me qëllimet tona. Besoj se mbeten akoma për t’u parë risitë që ky brez do të na sjellë, në këtë rast pa e lënë mënjanë skepticizmin.

Cili është, sipas jush, funksioni i artit? A duhet artisti ta ketë qëllim atë, meqë folëm për qëllime?

Nuk e di nëse arti ka një funksion. Nëse do të duhej medoemos ta kishte një të tillë, them se do të ishte që të na mbrojë nga llumi ynë i brendshëm. Nga ajo ana e neveritshme e natyrës sonë që kërkon të dalë me çdo kusht në sipërfaqe.

Cilat janë perspektivat tuaja krijuese? Ju tërheq rruga që keni nisur?

Nuk e di nëse do të arrij të krijoj për një kohë të gjatë dhe nëse do të krijoj nuk jam e sigurt mbi mënyrën sesi do ta riprodhoj vetveten. Asgjë nuk është e qartë, saqë thjesht kam hequr dorë nga të menduarit mbi këtë gjë duke qenë se nuk do më çojë askund. Rruga që kam nisur është e vetmja rrugë që mund të nisja. Ndërkohë merrem edhe me gjëra të tjera, humbas plot kohë të vyer duke studiuar dogmat universitare. Prapëseprapë kënaqem kur më krijohet pak hapësirë për të shkruar, për të pikturuar, për të fotografuar ose kënduar. Janë shumë gjëra njëkohësisht, e di. Por janë pasionet e mia. Janë e vetmja gjë që kam, nuk do kisha identitet pa krijimet e mia. Do të isha një njeri i trishtuar mes turmës. Aktualisht po merrem me botimin e librit tim këtu në Itali. Them se përkthimi i romanit tim do të dalë së shpejti. Gjithashtu po kursej para dhe po pres momentin e duhur për të realizuar ëndrrën time: të blej një studio të vogël ku të pikturoj!

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›