Ejupi e konfirmon Kapitin

Ai ka thënë se kryesia e klubit është e kënaqur me punën e Kapitit, mirëpo, e tillë nuk është edhe me përkushtimin e disa futbollistëve. Sipas tij, disa nga ta, pa përmendur emra, i kanë thyer rregulloret disiplinore të klubit, për çka edhe do të ndëshkohen.
“Jemi klub serioz dhe nuk lejojmë që kush të dojë dhe si të dojë të sillet aty, edhe po të jetë ai Lionel Messi. Kapiti është duke e kryer punën e vet siç duhet, ndërsa ata që nuk po i respektojnë urdhrat e tij, do të ndëshkohen konform rregullave të klubit. Nuk mund të sillen si kapadai në skuadër dhe një ditë para lojës ta ndjekin jetën e natës dhe të kthehen të dehur, para lojës”, theksoi Ejupi.
Sipas tij, ndaj 3-4 futbollistëve do të iniciohet edhe procedurë disiplinore nga ana e Bordit të klubit. Express mëson se të gjithë futbollistët, por edhe shtabi teknik, mund të ndëshkohen me 20 për qind ulje të të ardhurave nga FC Prishtina, pas rezultateve dhe paraqitjeve të dobëta në ndeshjet e fundit.