Çfarë krize?

Afati kalimtar i verës ishte i varfër në përgjithësi për të gjitha skuadrat nga La Liga, duke përfshirë ato katër që e përfunduan sezonin e shkuar në krye të tabelës, Real Madrid, Barcelona, Valencia, Malaga. Këto ekipe përfaqësojnë Spanjën në Ligën e Kampionëve, dhe dinë të luajnë shumë mirë.
Në kuadër të xhiros së dytë të fazës së grupeve të garës elite të klubeve evropiane të zhvilluar në mesjavë, secila prej tyre shënoi fitore, 4 nga 4, me golaverazh 11-1. Në duelet e para fituan Real Madrid, Barcelona dhe Malaga, kurse Valencia u mund nga Bayern Munichu. Dy xhiro, 7 fitore, 21 gola të shënuar dhe 7 të pranuar. Nga skuadrat e lartpërmendura befasia më e madhe është pa dyshim Malaga.
Nëse llogaritim edhe ndeshjet e play-offit kundër Panathinaikosit, skuadra e Manuel Pellegrinit pas katër duelesh nuk ka pranuar ende gol. Premitë e premtuara nga UEFA nuk do t’i marrë derisa të kalojë telashet financiare, që gjatë verës e kishin rrezikuar seriozisht klubin. Por, së paku në fushë gjërat po shkojnë shumë më mirë. Pas fitores së thellë 3-0 ndaj Zenit St Petersburgut, skuadër që shpenzoi 90 milionë euro për dyshen Hulk-Witsel, Malaga me të njëjtin rezultat të mërkurën mbrëma mundi edhe Anderlechtin, midis Brukselit. Tani e presin dy përballjet me Milanin, duke filluar nga 24 tetori në La Rosaleda.
Por, edhe Valencia ka kryer punën e saj. Një humbje ‘e parashikueshme’ nga Bayerni, e përcjellë nga fitorja e dobishme ndaj Lille. Tani, e presin duelet e njëpasnjëshme me BATE Borisovin, me së pari udhëtimin në Bjellorusi. Nga dy gjigantët, Real Madrid dhe Barcelona janë pritur fitore nga dy duelet e para të grupeve përkatëse. Por, duelet e para ishin mjaft të vështira. Katalanët përmbysën rezultatin 2-1 në fitore 3-2 ndaj Spartak Moskës dhe mposhtën në udhëtim Benfican 2-0.
Kurse, edhe madrilenët u kundërpërgjigjen nga disavantazhi 2-1 duke mundur Manchester Cityt, para fitores së thellë 4-1 si mysafir i Ajaxit, të mërkurën mbrëma. Ata zhvillojnë El Clasicon të dielën, në Nou Camp. Edhe në Europa League, xhiroja e parë nuk ka shkuar keq. Atletico Madrid fitoi në Izrael, Levante mundi Helsingborgun, kurse Athletic Bilbao barazoi me Hapoel Kiriatin. Për dallim nga një vit më parë, klubet spanjolle shpenzuan 60 për qind më pak në përforcime, por falë akademive të zhvilluara, dhe vazhdimësia e mirë e lojës, po paraqiten suksesshëm në Evropë.