E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vazhdojnë njëjtë

Federata e Futbollit e Kosovës nuk e ka ndërmend ta ndryshojë strategjinë që e ka zgjedhur për t’u anëtarësuar në UEFA e FIFA. Sekretari i FFK-së, Eroll Salihu thotë se shtëpia e futbollit kosovar nuk ka lënë rrugë pa ndjekur, vetëm për t’u futur nën ombrellën e futbollit ndërkombëtar. Por, pasi ka marrë përgjigje negative për pranim me të drejta të plota, FFK-ja kërkon që të paktën t’i lejohet zhvillimi i ndeshjeve miqësore përfaqësueses së Kosovës.

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) nuk e ka ndërmend ta ndryshojë rrugën që e ka zgjedhur për t’u anëtarësuar në UEFA dhe FIFA. Të mërkurën, trajneri i mirënjohur kosovar, Bylbyl Sokoli, i cili është anëtar i Këshillit Profesional në FFK, e kishte konsideruar si të gabueshme dhe jo rrugën më të shkurtër që e çon te caku futbollin kosovar, atë të cilën po e ndjek Fadil Vokrri me kolegë.

E këtë bindje, njohësi i mirë i futbollit e përforcoi edhe më shumë tash kur UEFA, për dallim prej Kosovës, lëshoi pe ndaj Gjibraltarit 28 mijë banorësh, të cilin e pranoi, edhe pse ai territor kontestohet nga Spanja e Britania e Madhe.

Mirëpo, sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu thotë se shtëpia e futbollit kosovar i ka provuar të gjitha alternativat dhe insiston se kjo është strategjia, e cila duhet ndjekur, për t’u futur hap pas hapi nën ombrellën e futbollit ndërkombëtar.

“Kjo është absurde, si duket dikush nuk është mirë i informuar dhe e thotë këtë prej mllefit. Ne kemi kërkuar të pranohemi me të drejta të plota në vitin 2008 dhe aplikimi ynë është konsideruar juridikisht në rregull dhe i ka plotësuar kushtet, por kemi marrë përgjigje negative, sepse na është thënë se na duhen më shumë njohje, pra që duhet të aplikojmë kur të ketë më shumë njohje”, ka thënë Salihu për Express.

“Prandaj, na është dashur të gjejmë rrugë alternative, që të sensibilizohet kjo çështje sa më shumë dhe të bëhet e madhe. Hapin e parë të cilin e kemi bërë ishte ai i transfereve, për t’i mbrojtur lojtarët. Kjo ishte e vetmja gjë që kemi mundur ta bëjmë sepse kemi bërë aq sa kemi pasur mundësi”, vazhdoi ai.

Salihu shton se FFK-ja është konsultuar edhe me ekspertë të njohur të futbollit botëror dhe është këshilluar që mos të ankohet në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, siç ka propozuar një ditë më parë trajneri Sokoli.

“Në bazë të statutit të UEFA-s, kjo ide do të binte poshtë, pasi që ekziston problemi ligjor. Ne kemi kërkuar që të na lejohet zhvillimi i ndeshjeve miqësore ndërkombëtare, ndërsa më pas do t’i ndërmarrim hapat e mëtutjeshëm”, vijoi Salihu.

FFK, shpresat në mbledhjen e dhjetorit

Ndërkohë, të enjten Komiteti Ekzekutiv (KE) i FFK-së e mbajti mbledhjen e vet të radhës, ku debatoi për shumë çështje me rëndësi për futbollin e Kosovës. Ndër temat që u prekën ishte edhe ajo e vendimit të fundit të Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s për shtyrjen e vendimit për modalitet e zhvillimit të ndeshjeve miqësore për Kosovën. Drejtuesit e FFK-së u zotuan se nuk do ta ndalin lobimin, derisa t’i arrijnë objektivat e tyre.

“KE-ja mbetet e përkushtuar që deri më 14 dhjetor të këtij viti, kur edhe do të mbahet mbledhja e radhës e KE të FIFA-s, të vazhdojë të lobojë me të gjitha forcat dhe mënyrat që vendimi tashmë i FIFA-s, për të cilin është shprehur vetë kreu i FIFA-s , presidenti Sepp Blatter, ta marrë formën që synon FFK-ja”, shkruan në komunikatën e lëshuar nga FFK-ja.

Po ashtu, KE i FFK-së ka falënderuar edhe angazhimin futbollistëve shqiptarë që janë pjesë e Kombëtares shqiptare dhe asaj zvicerane si dhe reprezentuesen gjermane, kosovaren Fatmire Bajramaj, që nënshkruan letër përkrahjeje në drejtim të UEFA-s dhe FIFA-s, për mbështetje të futbollit të Kosovës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›