Ekipet greke dhe sllovene ne Shkoder per permbytjet
SHKODER- Dy ekipet greke të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimit me 35 efektivë, që mbërritën dje në Shqipëri, aktualisht janë stacionuar në Vaun e Dejës. Burime zyrtare të Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile bënë të ditur sot se ekipet greke kanë në dispozicion për të kryer operacionet e tyre 4 makina, 2 varka me motor dhe 7 pompa të fuqishme. Ato do të fillojnë që sot veprimet operacionale sipas udhëzimeve të Komitetit Ndërministror. Mëngjesin e sotëm erdhi në Shqipëri nga Pika e Kalimit Kufitar e Hanit të Hotit ekipi slloven i ndihmës për emergjencën në zonat e prekura nga përmbytja. Komiteti Ndërministror, nëpërmjet Drejtorisë të Përgjithshme të Emergjencave Civile i është drejtuar për ndihmë emergjente Qendrës së Emergjencave të NATO-s (EADRCC) dhe Qendrës së Emergjencave Europiane (MIC-ut). Të dy qendrat i drejtuan një apel vendeve anëtare për dhënien e ndihmës Shqipërisë sipas kërkesave dhe specifikimeve të kryera nga ana jonë. Deri tani kanë ardhur ndihma, kryesisht në pajisje logjistike për të përballuar situatën e përmbytjeve në veri të vendit nga Italia, Franca, Austria etj. (s.g/BalkanWeb)