Ekleston apel Moslit: Gjej akordin me Ferrarin
Deklarata e presidentit të FIA-s, Maks Mosli, pas debatit me kreun e "kokëkuqes", Luka Kordero di Montexemolo, se "F.1 mund të mbijetojë edhe pa Ferrarin" ngriti shumë pikëpyetje për të ardhmen. Një polemikë, që filloi pas "tavanit" në buxhetin e skuadrave, për të kufizuar shpenzimet e çmendura në Formula 1. Për të qetësuar situatën, ka ndërhyrë Berni Ekleston, i cili ka dalë në mbrojtje të prodhuesit italian: "Mosli kërkon të shkatërrojë Ferrarin? nuk do të lejoj që kjo të ndodhë", ishin fjalët e 78-vjeçarit për britaniken "Times". Ai pretendon se palët mund të gjejnë një kompromis, pa qenë e nevojshme që të merren vendime ekstreme. Sipas Ekleston, në vija të përgjithshme "duket se të gjithë janë pro buxhetit të kufizuar. Madje, nëse arrijmë të gjejmë një marrëveshje me Ferrarin, edhe ata do të jenë dakord. Besoj se akordi mund të arrihet". Patroni i garës nuk e ka përjashtuar hipotezën që "tavani" i shpenzimeve të rritet. "Nuk mund ta përjashtojmë faktin se ekzistojnë shqetësime për kufizimin e buxhetit të skuadrave dhe që kampionati rrezikon të ndahet në dy kategori. Gjithsesi, të gjitha problemet mund të zgjidhen", shpjegoi Ekleston. Në fund, ai lëshoi edhe një vlerësim personal për presidentin e FIA-s: "Problemi më i madh i Maksit është se asnjëherë nuk ka ditur t‘i ‘zbukurojë‘ situatat. Ai i fut gjërat në një kuti kartoni dhe në vend të shiritit rozë, për ta mbyllur, përdor spango", tha ai, duke shpjeguar mënyrën direkte me të cilën Mosli përballet në debate, duke i tensionuar situatat edhe kur kjo mund të evitohej fare lehtë.