Arsen Venger beson: E eliminojmë Junajtid
Arsen Venger beson se Arsenali do ta kalojë Mançester Junajtid dhe të sigurojë finalen e Ligës së Kampioneve me një paraqitje të madhe. "Topçinjtë" humbën 1-0 në "Olld Traford" dhe për takimin e kthimit nuk kanë në dispozicion mbrojtësit Uilliam Gallas dhe Gael Klishi. Në skuadër është kthyer Robin van Persi, që së bashku me Adebajor do të kërkojë të shënojë në portën e skuadrës së Ferguson. Në anën tjetër "Djajtë e Kuq" rikuperojnë Rio Ferdinand, pas dëmtimit në brinjë. "Sa shanse mendoj se kemi? Besoj se do të kualifikohemi", deklaroi Venger. "Jam i bindur se do të paraqitemi në nivele të larta dhe do t‘i mposhtim rivalët. Ky është synimi ynë dhe nuk duhet të shqetësoheni, pasi do t‘ia dalim mbanë. Luajmë në fushën tonë, ku kemi një rekord të mirë në Champions. Janë të shumtë ata që na shohin si më pak të favorizuar, por personalisht besoj se do të shkojmë në finale". Arsenali ka shansin të luajë për trofeun më të rëndësishëm evropian për klube, që prej finales së humbur në vitin 2006 me Barcelonën. Shpeshherë Venger është vënë në shënjestër për "fiksimin" me Ligën e Kampioneve, duke anashkaluar Premiershipin. "Jam i fiksuar që skuadra të luajë sa më mirë të jetë e mundur dhe të fitojë trofe. Nuk mendoj se Championsi është motivimi i vetëm për të vazhduar punën si trajner. Objektivi është të marrësh maksimumin nga skuadra. Kur je trajner ka shumë presion nga jashtë, por personalisht jam mësuar ta përballoj. Pavarësisht asaj që do të ndodhë të martën (sot), mendoj se skuadra do të zhvillojë një ndeshje të madhe", përfundoi francezi.