E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kaos te Juve, Ranieri në pikëpyetje

Kaos te Juventus, të gjithë kundër të gjithëve. Gjithçka e ka zanafillën në pushim e ndeshjes ndaj Leçes (2-2). Sapo kishte mbaruar pjesa e parë, Juventusi ishte në dizavantazh. Ranieri hyn i pari në dhomat e zhveshjes, Kamoranezi është i fundit. Atje vjen edhe drejtori sportiv, Alesio Seko. Beteja është gati për të filluar. Juve po humbet 1-0, Ranieri vendos të ndryshojë. Jashtë Kamoranesi dhe Del Piero. Hyjnë Markioni e Poulsen. Kamoranesi nuk është dakord, i bën të ditur trajneri se nuk e miraton zëvendësimin. Këtë e bën duke bërtitur. Për italianin nga Argjentina ka qenë një e diel shkatërrimtare. Impenjimi nuk është i madh, Olimpiku është i mbushur me të irrituar. Në shënjestrën e kontestimeve përfundon edhe ai. Krenaria e kampionit është plagosur, zgjedhja e trajnerit e ndez situatën.

Irritimi

Në dhomat e zhveshjes, nën dritat neonit, është elektrizuar klima. "Po, ishim të gjithë të irrituar, është logjike", pohon Iakuinta. Debati mes Ranierit dhe Kamoranezit vazhdon. Dhe Bufon nuk është dakord. Thotë mjaft, ngrihet dhe ikën, lë dhomat e zhveshjes përpara shokëve të skuadrës. Dhe kthehet në fushë në mesin e pushimit mes dy pjesëve. Ky nuk është një detaj, por një sinjal. Është irritimi i Bufon, revolta e Kamoranezit, tërheqja e Nedved, kur shikon se si zhvlerësohet dopjeta e tij. Dhe kur lë fushën, hedh bluzën para pankinës së Leçes. Një atmosferë e ftohtë rrethon Ranierin dhe më pas përfshin edhe skuadrën. Të paktën disa prej lojtarëve të saj. Sepse kjo është era e akullt, historia e një turbullire që zhduk idetë, ngrin ambiciet, largon të gjithë objektivat. Kamoranezi nuk përmbahet, Bufon ikën dhe kthehet në fushë. Ai nuk ka një pamje të qetë. Maninger, zëvendësi i tij, kërkon ta qetësojë. Por nuk ia del, nuk është dita e duhur. Ai i portierit është një rritim që vazhdon të shtohet. Ka një reagim të parë, pas golit Konan për Leçen. Bufon dorëzohet, kthehet drejt tifozëve ultras "Scirea" dhe i kthen sytë nga qielli. Madje ngre edhe flamurin e bardhë: "Nuk mundem më". Lëvizja e buzëve të tij nuk le shans për dyshime. Por ka edhe ankesa të tjera.

Nostalgjia

Kontestimi filloi kur skuadrat nuk kishin hyrë akoma në fushë për pjesën e dytë dhe përfundon vetëm kur të dy skuadrat ishin larguar pas përfundimit të ndeshjes. Kishte kontestime për të gjithë. Klasikët: "Nuk e duam Kanavaron", "Nuk duam mercenarë" dhe "Kush nuk kërcen është Kanavaro". Superklasikët: "Ranieri zhduku" dhe "Ranieri nuk të duam". Kundër drejtuesve, kore ironike, që kërkojnë blerjen e Zambrotës, një tjetër ish-i, një tjetër "mercenari". Pastaj vijnë edhe disa kontestime të pabëra kurrë më parë. Në fillim nuk aprovojnë Zebinanë, kur hyn në vend të Grigeras. "Urrejtje Zebinasë" dhe "Zebina hiqe bluzën". Ai i dëgjon për pak kohë, pastaj kthehet nga publiku dhe u bën shenjë "të heshtin". Dhe u tregon me krenari emrin e tij të shkruar mbi bluzë. Asgjë, tifozët thërrasin sërish "Urrejtje Zebinasë", por vetëm zoti e di se përse. Vetë zoti e di "përse"-në edhe të një tjetër kori të padëgjuar më parë, që ka përfshirë të gjithë tifozerinë e pranishme në stadium: "Luçiano Moxhi". Nostalgji për atë, që është konsideruar i keqi i Juventusit, kupola e "Calciopolit".

Ranieri

Ranieri reagon pas kontestimeve: "Unë e përzgjedh formacionin duke menduar gjithmonë për më mirë dhe pastaj ndryshoj nëse gjërat nuk ecin mirë. Nëse gaboj, ashtu sikurse thonë tifozët është e drejtë të më çojnë në shtëpi, por kjo është një gjë që pret analizën e klubit".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›