E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekonomia shkurt

Prifti, thirrje biznesit për të ndihmuar banorët e përfshirë nga përmbytjet

Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z. Dritan Prifti, i bëri thirrje biznesit dje në mbrëmje të solidarizohej për të dhënë ndihmë për banorët e përfshirë nga përmbytjet, si rezultat i reshjeve të shumta ditët e fundit, në zonën e Shkodrës. "Ndodhemi në një situatë ku një komunitet është në kushtet e nevojave të mëdha që shkojnë nga ato më elementaret e deri te strehimi", - deklaroi ministri Prifti, përpara një komuniteti të madh me përfaqësues biznesesh, në hotel “Tirana International”. Ai bëri të ditur se gjatë një takimi të zhvilluar dje në Shkodër me banorë, si dhe përfaqësues të Komitetit të Emergjencave ishte njohur me detaje të situatës, si dhe me disa kërkesa të parashtruara.
Kreu i METE-s tha se qeveria ka vendosur në dispozicion të kësaj zone rreth 2 mijë vetë, forca të policisë, ushtrisë si dhe nëpunës civilë, si dhe disa miliarda lekë, ndërsa e konsideroi operacionin e deritanishëm si mjaft të suksesshëm, pasi sipas tij, edhe pse një situatë e vështirë, nuk ka asnjë jetë humane të humbur. "Ne reaguam para se të fillonte përmbytja, duke i njohur banorët me pasojat, si dhe duke u ofruar mundësinë atyre të evakuoheshin", - deklaroi Prifti, duke shtuar në të njëjtën kohë se "që në momentet e para dislokuam mijëra forca të ndërhyrjes së shpejtë". Por, ministri Prifti, në këtë drejtim shtoi se edhe pse qeveria ka dhënë ndihmë të jashtëzakonshme, ka nevojë për mbështetje të biznesit. Ai nuk la pa vlerësuar edhe solidaritetin e deritanishëm të biznesit, ndërsa iu bëri thirrje të solidarizoheshin të gjithë. "Nga Komiteti i Emergjencës më është ngarkuar t’i bëj një kërkesë shoqërive të hidrokarbureve, pasi nevoja për karburant është e madhe, ndërsa rezervat në dispozicion po vinë duke u zvogëluar", - iu drejtua ministri Prifti biznesit që operon në këtë sektor. Sipas tij, nevoja paraqiten edhe në drejtim të furnizimit me ushqime. Në përfundim, ministri Prifti shtoi se fatura totale e dëmeve mund të jetë shumë e lartë, pasi si u shpreh ai "ende është e mbuluar me ujë". Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, u shpreh se "sot të gjithë do të bashkohen në nismën tonë që përveç të tjerash ka së pari vlera humane".

“Vodafone Albania”, dy oferta fantastike për abonentët me parapagesë

Abonentët e “Vodafone Club” mund të përfitojnë prej ofertës “Non Stop” që iu mundëson telefonata gati pafund drejt anëtarëve të grupit, por jo vetëm: të gjithë ata abonentë që zgjedhin këtë ofertë përfitojnë 1000 minuta kohë bisede brenda grupit “Club” dhe 30 minuta drejt të gjithë rrjeteve të tjerë, për vetëm 700 lekë (me TVSH). Për këtë nevojitet të telefonohet falas në numrin 137. Për të gjithë abonentët “Vodafone Card” tashmë mbërriti oferta “Super Rimbushje” e cila iu jep mundësinë e përfitimit të dyfishit të shumës së rimbushur. Të gjithë ata abonentë që rimbushin llogaritë e tyre përmes kartave gërvishtëse apo elektronike me shumën 1000 lek mund të zgjedhin ofertën “Super Rimbushje” dhe të përfitojnë një total prej 2000 lekë kohë bisede për ta përdorur për dhjetë ditë nga momenti i aktivizimit. Vini re se të dy ofertat e mësipërme janë të vlefshme për një kohë të kufizuar. Çdo informacion i mëtejshëm në lidhje me specifikimet e këtyre ofertave, mund të gjendet duke telefonuar shërbimin e kujdesit të klientit të “Vodafone” në numrat 139 dhe 140 apo duke vizituar faqen e internetit www.vodafone.al.

Krerët e “Çalik Holding” dhe “Eagle Mobile” ndihmojnë banorët e prekur nga përmbytjet

Drejtuesit e “Çalik Holding” dhe “Eagle Mobile” vizituan dje zonën e prekur nga përmbytjet në Shkodër. Orhan Xhoshkun (Orhan Coskun), president i “Çalik Holding” për Evropën Juglindore dhe Ballkanin dhe Ali Taskin, drejtor i Përgjithshëm i “Eagle Mobile”, vizituan banorët dhe biseduan me ta lidhur me gjendjen e tyre. Ata theksuan se do të bëjnë më të mirën e mundshme për të përshpejtuar shpërndarjen e ndihmave. Po ashtu, z. Xhoshkun dhe z. Taskin vizituan shtabin e emergjencës, ngritur në Prefekturën e Shkodrës. Ata u takuan me ministrat Basha, Olldashi, Imami, Vasili, si dhe deputetin e zonës së Dajçit, Uldedaj, duke shprehur mbështetjen për kapërcimin sa më të shpejtë të kësaj situate.
Në përmbyllje të kësaj vizite, ata iu përgjigjën edhe interesit të mediave që po e ndjekin nga afër situatën. Z. Orhan Xhoshkun (Orhan Coskun), president i “Çalik Holding” për Ballkanin dhe Evropën Juglindore deklaroi: “Është në themel të parimeve të “Çalik Holding” të ndihmojmë njerëzit në nevojë, sidomos në fatkeqësi natyrore siç janë përmbytjet. Ne erdhëm këtu, takuam njerëzit dhe autoritetet dhe ndoqëm nga afër situatën dhe e pamë vetë që banorët janë në një situatë shumë të vështirë. Ne e shohim si detyrë t’i ndihmojmë ata dhe mendojmë se është edhe puna jonë të jemi pranë tyre. Janë 150 mijë euro në total për këta qytetarë, 120 mijë euro që do jepen cash në llogarinë e hapur për ta, pra në të holla, ndërsa 30 mijë euro të tjera do të jepen në formë ushqimesh për zonat e prekura, për ata që kanë nevojë. Përfitojmë nga rasti t’u themi “të shkuara” gjithë banorëve të kësaj zone dhe të urojmë që kjo situatë e rëndë të kalojmë sa më shpejt. Ne ju garantojmë si “Çalik Holding” së bashku me tre kompanitë në Shqipëri që do bëjmë gjithçka që kemi në dorë t’ua lehtësojmë vështirësinë këtyre njerëzve”. Tre kompanitë e “Çalik Holding” në Shqipëri, Albtelecom, BKT dhe “Eagle Mobile” dhuruan 150 mijë euro. Gjatë ditës së sotme (e hënë) tre kompanitë do të depozitojë 120 mijë euro sot në cash në llogarinë e çelur për të prekurit, ndërsa po gjatë ditës do të dërgohen në Shkodër ndihmat në ushqime me vlerë 30 mijë euro.

Institucione, banka, biznese e qytetarë në mbështetje të zonave në nevojë

Janë të shumtë qytetarët e thjeshtë, punonjësit e institucioneve shtetërore, të bankave, apo bizneseve private që janë solidarizuar për të mbështetur banorët e zonave të përmbytura këto ditë në zonën e Shkodrës, me ndihmat e tyre modeste. Qytetarët kanë ndjekur dy rrugë për t’u dhënë ndihmën e tyre banorëve, dikush ka preferuar të derdhë një vlerë të caktuar në numrin e llogarisë të hapur në gjithë bankat e nivelit të dytë në ndihmë të këtyre banorëve, apo në një formë tjetër, duke dërguar një SMS, vlera e së cilës do të arkëtohet nga kompanitë “Vodafone Albania” e “Eagle Mobile” për llogari të banorëve në nevojë. Edhe në disa ministri punonjësit e administratës në mënyrë individuale kanë derdhur një shumë në llogaritë e hapura në ndihmë të këtyre banorëve. Në disa banka si “Tirana Bank”, “ProCredit Bank” punonjësit kanë derdhur nga 10 mijë lekë të reja në llogarinë e hapur në bankat e tyre për banorët e zonave të Shkodrës. Po kështu, të gjithë punonjësit e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, në të gjithë vendin, janë solidarizuar për të dhënë ndihma financiare për banorët e zonave të përmbytura.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›