E Diel, 1 Nëntor 2026

Përmbytjet, PE vlerëson qeverinë për menaxhimin e situatës

Parlamenti Evropian vlerëson ekzekutivin shqiptar për menaxhimin dhe përballimin e situatës së vështirë të përmbytjeve në veri të vendit. Një vlerësim të tillë e përcolli dje nga Brukseli Presidenti i Parlamentit Evropian, Jerzy Buzek, i cili dha edhe mbështetjen për përballimin e situatës. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, vizitoi dje Brukselin zyrtar dhe në takimin me homologun e saj të Parlamentit Evropian, ka marrë mbështetje dhe garanci për vendin. Krahas mbështetjes aktuale me ndihma dhe logjistikë nga vendet e BE-së për përballimin dhe menaxhimin e situatës, Topalli mori garanci nga Buzek se do të ketë ndihma të tjera. Kryetarja e Kuvendit falënderoi për ndihmën e dhënë dhe kërkoi vijimin e mbështetjes nga Parlamenti Evropian në këtë situatë. Në bisedimet dypalëshe, kreu i Parlamentit Evropian deklaroi: “Shprehim gjithë mbështetjen tonë në të gjithë termat për situatën”.
Takimi
Në takimin mes dy krerëve të parlamenteve u bisedua për temat kryesore të ditës dhe reformave si dhe marrëdhëniet mes BE-së e Shqipërisë. Kreu i Parlamentit Evropian vlerësoi zgjedhjet e fundit në Shqipëri, duke kërkuar edhe praninë e opozitës në Kuvend. Lidhur me liberalizimin e vizave, Buzek shprehu angazhimin e Parlamentit Evropian, si institucion që ka një peshë kryesore në këtë çështje. Ai tha se Parlamenti Evropian mbështet Shqipërinë për heqjen e vizave pas gjashtë muajsh. Presidenti Buzek tha se Shqipëria ka bërë shumë progres drejt BE-së, duke theksuar se shqiptarët janë evropianë. Ai vlerësoi shumë rolin e Shqipërisë në rajon dhe shprehu bindjen se Shqipëria do të jetë një histori suksesi në Ballkan dhe Evropë. Kryetarja e Kuvendit falënderoi Presidentin e PE-së Buzek për mbështetjen e Parlamentit Evropian dhe e ftoi për një vizitë në Shqipëri dhe për t’iu adresuar Parlamentit Shqiptar. “Bashkëpunimi rajonal i Shqipërisë është shumë i rëndësishëm në këndvështrimin tonë. Ne do të donim të mbanim ekuilibrin dhe paqen në këtë rajon për të ecur kështu drejt anëtarësimit të vendeve të këtij rajoni”, - tha Buzek në konferencën e përbashkët për shtyp. Ai shtoi se do të ketë një shtim të marrëdhënieve parlamentare mes PE-së dhe Kuvendit të Shqipërisë dhe shprehu besimin se në procesin e liberalizimit të vizave, shqiptarët do të udhëtojnë lirshëm drejt vendeve Shengen. “Unë mund të them nga ana ime dhe me sa kam dijeni nga negociatat sot, kjo do të jetë e mundur në korrik të vitit 2010, pra në gjysmën e vitit dhe unë e di shumë mirë sa e rëndësishme është kjo për qytetarët shqiptarë dhe për politikanët shqiptarë për t’u treguar qytetarëve të tyre se gjërat po shkojnë në drejtimin e duhur. Ne jemi të shumë të hapur për këtë. Faleminderit që erdhët në Parlamentin Evropian, sepse pa bisedime nuk mund të përmirësojmë bashkëpunimin tonë”, - shtoi Presidenti i PE-së.
Nga ana e saj, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, falënderoi Presidentin Buzek dhe vlerësoi nivelin e marrëdhënieve. “Për mua kjo është një vizitë shumë e rëndësishme sepse ne jemi tani këtu pas hyrjes në fuqi të MSA-së disa muaj më parë, që do të thotë se ne kemi marrëdhënie të reja, më të forta midis njëri-tjetrit. Unë dëshiroj të falënderoj Presidentin Buzek për gatishmërinë e tij veçanërisht tani që Parlamenti Evropian ka më shumë autoritet dhe është një forcë drejtuese në të gjitha proceset e Bashkimit Evropian”, - tha Topalli. Ajo u shpreh e bindur se Shqipëria do të arrijë të përfundojë me sukses proceset drejt integrimit duke nisur nga ai i liberalizimit të vizave. “Për këtë arsye, me këtë autoritet që ka, Presidenti Buzek dhe Parlamenti Evropian, unë jam shumë e bindur se ne kemi një mbështetje edhe më të fortë nga Parlamenti Evropian për të përfunduar këtë proces urgjent, procesin e liberalizimit të vizave. Fjalët që Zoti President tha më parë janë shumë inkurajuese për të gjithë ne shqiptarët, për të cilët liberalizimi i vizave është diçka shumë e rëndësishme”, - deklaroi në konferencën e përbashkët për shtyp kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli.

Liberalizimi i vizave, Buzek: Në korrik të vitit 2010

Liberalizimi i vizave është një proces i pandalshëm dhe që pritet të konkretizohet në muajin korrik të këtij viti. Kjo ishte deklarata e bërë dje nga Presidenti i Parlamentit Evropian, Jerzy Buzek, i cili deklaroi se reformat janë arritur. “Unë mund të them nga ana ime dhe me sa kam dijeni nga negociatat sot, kjo do të jetë e mundur në korrik të vitit 2010, pra në gjysmën e vitit dhe unë e di shumë mirë sa e rëndësishme është kjo për qytetarët shqiptarë dhe për politikanët shqiptarë për t’u treguar qytetarëve të tyre se gjërat po shkojnë në drejtimin e duhur”, - tha Buzek, duke shtuar se “për sa i përket procesit të regjimit të vizave nga Parlamenti Evropian, ekziston mbështetja e plotë për këtë dhe siç është bërë publike edhe në deklaratat tona, nuk ka asnjë çështje për të diskutuar në këtë pikë”. Duke folur më tej për reformat, Buzek vlerësoi marrjen e reformave për të luftuar krimin si dhe inkurajoi autoritet shqiptare të ndërmarrin më shumë reforma. Në lidhje me reformat, ai shtoi se këndvështrimi i tij është optimist. “Ne gjithashtu mbështesim negociatat për këtë qëllim. Unë do të doja gjithashtu të nënvizoja se Parlamenti Evropian e vlerëson shumë të rëndësishme që në Parlament të ndërmerren reforma për të luftuar krimin e organizuar dhe kjo është e domosdoshme edhe për vetë vendet anëtare të BE-së, ashtu sikurse e pohoi dhe vetë zonja kryetare, edhe Kryeministri Berisha që e kam takuar disa herë në takime ndërkombëtare. Ne kemi ndërmarrë shumë reforma për të gjithë vendet e BE-së, sipas programit tonë të Stokholmit dhe në këtë pikë edhe kërkesa për palën e ftuar për të bërë reforma për të ndryshuar disa gjëra, është shumë e rëndësishme gjithashtu. Kështu, në shumë këndvështrime do të thosha që deklarata është optimiste”, - deklaroi kreu i PE-së, Buzek.

Buzek, Topallit: Shumë i keq bojkoti i opozitës

Në konferencën e përbashkët për shtyp, dy krerët e parlamenteve, Topalli e Buzek, u pyetën në lidhje me bojkotin e opozitës shqiptare ndaj Kuvendit. Kreu i PE-së, Jerzy Buzek, deklaroi se pavarësisht tensioneve mes kampeve politike, bojkoti nuk është i këshillueshëm. Ai shtoi se bojkote të tilla ndaj Kuvendit janë të dëmshme sepse nuk japin mundësi për të bashkëpunuar. “Unë do të thosha diçka nga këndvështrimi im. Nëse nevojiten të ndryshohen shumë gjëra në vendin tuaj, ashtu sikur dhe në vende të tjera, në të vërtetë nevojitet një bashkëpunim midis opozitës dhe pozitës. Ne e dimë se gjithnjë ka tensione ndërmjet koalicionit (pozitës) dhe opozitës, si në çdo vend demokratik ekziston kjo, por një lloj bashkëpunimi është i domosdoshëm, specifikisht në këto momente kur të dyja palët, pozita dhe opozita, në Shqipëri duan të hyjnë si shtet në BE. Pra, në këtë pikëpamje, duke qenë përgjegjëse, bojkote të tilla janë shumë të këqija (të dëmshme), sepse nuk japin shumë mundësi për të bashkëpunuar”, - vlerësoi Presidenti i PE-së, Buzek. Nga ana e saj, kryetarja e Kuvendit deklaroi se Kuvendi po vlerëson ligjin dhe Kushtetutën si dhe përfitoi nga konferenca e shtypit në Bruksel, që t’i bëjë edhe një herë thirrje opozitës të kthehet në Kuvend. “Si kryetare e Kuvendit e kam përsëritur dhe s’do të rresht së përsërituri në faktin se ata kanë të gjitha hapësirat për të ardhur në Parlament për të diskutuar dhe për të ngritur komisione hetimore për çdo gjë që është në përputhje me ligjin dhe me kushtetutën. Në Kuvend ne kemi arritur dhe do të arrijmë dhe për këtë jam e sigurt, kompromise dhe negociata shumë të rëndësishme, ndaj edhe shfrytëzoj rastin për të ftuar që të respektojnë rezultatin e zgjedhjeve, për të respektuar mandatin që i kanë dhënë shqiptarët për liberalizimin e vizave për integrimin e Shqipërisë në BE dhe mbi të gjitha për të gjitha reformat e tjera dhe sfidat e rëndësishme që kemi përpara”, - deklaroi kryetarja e Kuvendit, Topalli.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›