E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekonomia, Bode kundër të gjithëve

Kreu i Financave: Nuk ndryshojmë model, do jemi liberalë

Ministri i Financave thyen heshtjen duke u kthyer përgjigje të gjithë atyre që për një vit rresht kërkojnë gjetjen e një modeli të ri ekonomik, i nevojshëm pas 20 vitesh tranzicioni. Debati mbi modelin e ri ekonomik u iniciua që në fillim nga gazeta “Shqip” përmes rubrikës “Forum”, dhe më pas, me mbështetjen e Akademisë së shkencave dhe Universitetit Mesdhetar, mundësoi zhvillimin e një konference të gjerë, me pjesëmarrjen e shumë aktorëve të njohur, përfshi dhe Bankën e Shqipërisë.

Kështu, Ridvan Bode del kundër idesë së guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, i cili sugjeron ndryshimin e kursit dhe gjetjen e rrugëve të reja për zhvillimin, del kundër pasardhësve të tij ministra, Arben Malaj dhe Anastas Angjeli, të cilët mendojnë se modeli i ri nevojitet për të maksimizuar prodhimin falë ndërthurjes së disa faktorëve ku ne kemi avantazhe, kundër ish-guvernatorit Shkëlqim Canit që vlerëson iniciativën për rishikimin e kuadrit që rrit ekonominë, të ndërkombëtarëve dhe ekspertëve të pavarur, si dhe u përgjigjet negativisht akademikëve dhe kreut të saj, Gudar Beqiraj, i cili e ka mirëpritur me kohë nisjen e programit të ri.

Kreu i Financave përmendi një sërë faktorësh që i japin bindjen se ekonomia shqiptare nuk ka nevojë për model të ri dhe se me strategjinë e ndjekur deri tani ka dhënë shembuj për kapërcimin e krizës së madhe financiare të vitit 2009.

I ftuar në forumin e Bankës Botërore me temë “Shqipëria: axhenda e re ekonomike”, ministri i Financave vuri në dukje disa aspekte të ekonomisë, duke u ndaluar te niveli i taksave, shpenzimet në buxhet, klima e biznesit, bankat dhe kreditimi. Ministri gjeti rastin të reagonte edhe për debatet e shumta mbi modelin e ri ekonomik të kërkuar nga akademikët.

“Përtej debateve dhe diskutimeve pasionante që bëhen nga qarqe të ndryshme të politikës apo të botës akademike edhe një herë, qeveria rikonfirmon qëndrimin e saj për modelin e rritjes ekonomike në Shqipëri, i cili nuk do të jetë një model i organizuar, i përqendruar, i planifikuar, i drejtuar, por do të jetë një model i cili do të mbështetet në disa parime të dëshmuara, të suksesshme për të gjithë periudhën e tranzicionit për ekonominë shqiptare”, theksoi ministri. Sipas tij, rritja e ekonomisë shqiptare ka përballë suksesin, modelin aktual ekonomik, i cili bazohet në një qëndrim tërësisht liberal ndaj biznesit dhe në një politikë mbështetëse në raport me të. “Kjo na bën të besojmë se edhe në të ardhmen e nesërme ekonomia shqiptare do të vijojë të performojë sikurse veproi përgjatë krizës në mënyrën më pozitive”, tha njëherë e mirë kreu i Financave shqiptare. Por ekspertë të Bankës Botërore gjykojnë se për të ecur përpara vendi ka nevojë të rishikojë disa fusha të ekonomisë, ku ndërthurja mes tyre mund të krijojë një strategji të duhur zhvillimi. “Është e vërtetë që Shqipëria e përballoi krizën dhe pati një rritje mbresëlënëse ekonomike, por e ardhmja mbetet e pasigurt dhe shumë sfida e presin”, tha përfaqësuesi i BB-së, Ron Hud. Kurse Adrian Civici, ekspert financash e kundërshtoi qëndrimin e ministrit, duke deklaruar se “ekonomia shqiptare ka nevojë të dijë se me çfarë plani do të ecë dhe se fryma liberale e qeverisë kërkon rregulla”.

Zyrtari i parë dhe më i larti që kërkoi gjetjen e një modeli të ri ishte vetë guvernatori Ardian Fullani, i cili tha hapur se modeli aktual nuk ka më se çfarë të japë. “Modeli i ardhshëm i rritjes ekonomike kërkon ndërtimin e një strategjie kombëtare të zhvillimit ekonomik të vendit dhe duhet të mbështetet në rritjen e produktivitetit të faktorëve të prodhimit në të gjithë sektorët e ekonomisë", tha guvernatori. Akademiku Anastas Angjeli, ish-ministër Financash, pranon se vendi ka nevojë për model të ri, por gjetja e formulës së duhur kërkon shumë punë. “Modeli i ri duhet të bazohet te një gërshetim i bujqësisë, agroindustrisë dhe turizmit. Ky model është i nevojshëm pas 20 vitesh tranzicion, me qëllim që të gjenerojë rritje ekonomike të qëndrueshme”, thotë Angjeli.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›