Ekonomia gjermane do të angazhohet në Greqi
Që nga kjo verë, ministri i Ekonomisë, Philip Rösler, i Partisë Liberale (FDP), po përpiqet të ngrejë "një iniciativë investimesh dhe ofensivë për rritjen ekonomike në Greqi". Që kjo është tepër e nevojshme, këtë e tregojnë edhe të dhënat ekonomike nga Greqia. Këtë vit ekonomia greke do të zvogëlohet me së paku 5%, ekspertët llogarisin me një papunësi 17% dhe të ardhurat buxhetore do të vazhdojnë të zbresin - megjithë rritjen e disafishtë të taksave. Ajo që dihet: Me masat e kursimit ekonomia greke nuk mund të rimëkëmbet. Po si mund të futet Greqia në shtegun e rritjes ekonomike? Sekretari i shtetit në Ministrinë gjermane të Ekonomisë, Stefan Kapferer, ka besim tek ekspertiza teknike gjermane: "Kemi rënë dakord që kfW-ja gjermane dhe pala greke të përpilojnë strategjinë e një banke investimesh dhe kemi rënë në ujdi që të shkëmbejmë ekspertë për fushat e ndryshme nga e drejta e kartelit deri te shkollimi profesional. Ka një spektër të gjerë mundësish për bashkëpunim, që nuk mund të kufizohet vetëm te niveli politik mes ministrive. Ky është një sinjal për rritje ekonomike." Te kursi i privatizimit ka ngecur aktualisht Greqia. Prandaj BE dhe FMN-ja i kanë lidhur ndihmat e mëtejshme me hapa të qartë të Greqisë në këtë drejtim. Në bisedimet e Athinës nuk u folën vetëm fjalë të bukura. Sepse shumë firma gjermane aktualisht në Greqi ankohen për një burokraci të ekzagjeruar dhe pjesërisht për struktura jotransparente ekonomike.