E Diel, 1 Nëntor 2026

Rritja e pagave, kryeson telekomunikacioni dhe tregtia

SHKRUAN: Blerina Hoxha 27-08-2011 11:09

Ritmet e rritjes së pagave në ekonominë e vendit, si në shtet ashtu edhe në privat, janë ulur, por rritja ka vijuar për të gjithë sektorët. Sipas një klasifikimi që ka bërë INSTAT (Instituti i Statistikës) për ecurinë e pagave këtë vit rezulton se rritjen më të lartë e aplikuar sektori i shërbimeve. Këtu përfshihet turizmi, tregtia, telekomunikacionet etj., të cilat kanë rritur pagën këtë vit me një mesatare prej 14 për qind. Sipas INSTAT, paga mesatare në ekonomi për vitin 2011 regjistroi 6.9% rritje vjetore. Mirëpo rritja reale e pagës llogaritet duke e zhveshur rritjen nga treguesi i inflacionit, i cili këtë vit ka qenë rrethe 4%. Kështu sipas INSTAT, paga reale, e deflatuar me indeksin e çmimit të konsumit, ka pësuar rritje me 3.1% në terma vjetorë. Megjithatë, rritja vjetore e këtij treguesi qëndron mbi mesataren historike. Në nivel sektorial, paga mesatare u rrit në të gjithë sektorët kryesorë të ekonomisë. Kështu, në sektorin e prodhimit pagat u rritën me 5.7%, në terma nominalë dhe rreth 2% në terma realë. Në sektorin e shërbimeve pagat u rritën në vlera nominale dhe reale, me përkatësisht 14% dhe 9.8%. Brenda këtij sektori rritje të ndjeshme të pagës kanë pësuar dega e post-komunikacionit dhe ajo e tregtisë. Paga mesatare mujore shtetërore përshpejtoi ritmet e rritjes. Më konkretisht, paga mesatare shtetërore u rrit me 8,3% në terma nominalë, ndërsa në terma realë rezultoi 3.8% më e lartë. Duhet thënë se historia e pagave në këto dy dekada tranzicion tregon për një rritje të përvitshme të tyre në raport të drejtë edhe meë rritjen e ekonomisë. Gjatë gjithë periudhës 1995-2010, vërehet një prirje në rritje e pagës mesatare mujore për një punonjës në sektorin shtetëror. Kjo nuk mund të thuhet përsa i përket prirjes në pagën reale, e cila është ndikuar nga luhatjet e inflacionit. Gjatë periudhës 1995-1996, si rrjedhojë e qëndrueshmërisë së çmimeve të mallrave të ndryshme të konsumit dhe rritjes së pagave në sektorin shtetëror dy herë në vit, rritja e pagave ishte më e madhe se rritja e çmimeve. Kriza ekonomike që kaloi vendi ynë gjatë vitit 1997 solli si rrjedhojë uljen e ndjeshme të pagës reale, duke shënuar një rënie rreth 17 për qind në krahasim me atë të një viti më parë. Në vitin 1999 çmimet e konsumit pothuaj nuk ndryshuan fare dhe paga reale në fund të këtij viti shënoi rritje, rreth 10 për qind. Një situatë e ngjashme vihet re edhe për vitin 2000 ku paga reale pësoi një rritje prej 17.7%. Viti 2001 shënon një rritje të pagës mesatare mujore me 15.1%, ndërkohë që edhe çmimet e konsumit pësojnë rritje me rreth 3.1%, duke çuar në një rritje të pagës reale prej 11.6%. Në vitin 2003 rritja e pagës mesatare mujore është 8.5%, ndërsa çmimet e konsumit rriten me 2.4%, duke sjellë rritje në pagën reale me 6%. Në vitin 2004 rritja e pagës mesatare mujore është 9.9% ndërsa çmimet e konsumit rriten me 2.4%, duke sjellë rritje në pagën reale me 7.3%. Në vitin 2007 rritja e pagës mesatare mujore është 17.1% ndërsa çmimet e konsumit rriten me 2.9% duke sjellë rritje në pagën reale me 13.8%. Duke vazhduar me një ulje të pagës reale në nivelin 6% në vitin 2008 dhe kjo për shkak të rritjes së pagës mesatare 8.3% dhe ndryshimit të çmimeve të konsumit 2.2%. Në vitin 2009 rritja e pagës mesatare mujore prej 11.9% dhe rritja e çmimeve të konsumit me 3.5% ndikuan në rritjen e pagës reale në 8.1%. Ndërsa gjatë vitit që shkoi rritja mesatare e pagës ishte rreth 8%.

Rritja e pagave sipas sektorëve

Sektori i shërbimeve 14%

Sektori i prodhimit 5.7%

Pagat shtetërore 3.8%

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›