E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkesa e huaj dhe llogaria korente

Deficiti i tregtisë me jashtë nisi të zgjerohet sërish. Të dhënat mbi ecurinë e bilancit të tregtisë së jashtme në mallra të vendit tonë për periudhën janar-maj të vitit 2011 të publikuara nga Banka e Shqipërisë dëshmojnë për një ndryshim të prirjes që u regjistrua gjatë vitit paraardhës. Kështu, deficiti tregtar në mallra pas ngushtimit të shënuar gjatë vitit 2010, për pesë muajt e parë të vitit 2011 u zgjerua me përafërsisht 8.8% në nivel vjetor. Gjatë kësaj periudhe, rritja e përshpejtuar vjetore e eksporteve në vlerë e përjetuar në vitin 2010 u moderua ndjeshëm, në nivelin 23.3%. Në anën tjetër, zgjerimi vjetor i importit të mallrave në vlerë u përshpejtua në nivelin mesatar 14.1%, nga 7% që ishte vitin e kaluar. Bilanci tregtar në mallra i vendit tonë, ndër vite, është karakterizuar nga deficite relativisht të larta dhe identifikimi i faktorëve, të cilët ndikojnë në ecurinë e tij, është me rëndësi primare në funksion të qëndrueshmërisë së pozicionit të jashtëm të vendit. Pas një zgjerimi të vazhdueshëm vjetor të deficitit tregtar në mallra gjatë periudhës 2006-2008, në vitet 2009 e 2010, deficiti tregtar u kontraktua në nivel vjetor, përkatësisht me 5.9% dhe 7.8%. Profili i kontributit të ecurisë vjetore të importeve dhe eksporteve ndryshon për këto dy vite. Në vitin 2009 rënia vjetore e importeve në vlerë me 9% dha kontributin kryesor në zvogëlimin e deficitit tregtar, krahasuar me kontributin e dhënë prej rënies vjetore të eksporteve me rreth 18%. Në të kundërt, gjatë vitit 2010, ndonëse importet në vlerë u zgjeruan me rreth 7% në bazë vjetore, ishte rritja vjetore e eksporteve me rreth 56%, e cila dha kontributin kryesor në zvogëlimin e deficitit tregtar. Ndërkohë, të dhënat kumulative të tregtisë së jashtme për pesë muajt e parë të vitit 2011 dëshmojnë për një rinisje të prirjes zgjeruese të deficitit tregtar në mallra, ndihmuar nga një kontribut në rritje i importeve në ecurinë vjetore të tij

Bilanci tregtar në mallra i vendit tonë, ndër vite, është karakterizuar nga deficite relativisht të larta dhe identifikimi i faktorëve të cilët ndikojnë në ecurinë e tij është me rëndësi primare në funksion të qëndrueshmërisë së pozicionit të jashtëm të vendit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›