E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekonomia greke bie me 1.5 për qind, valë falimentimesh në tregti



Ekonomia greke vazhdon të ketë rënie, duke u reduktuar me 1.5 për qind në tremujorin e dytë të vitit. Agjencia e statistikave në Greqi ka bërë të ditur se kjo humbje i shtohet rënies prej 0.8 për qind të GDP-së, të regjistruar në tremujorin e parë të vitit, gjë që të çon në përfundimin se rënia ekonomike ka përshpejtuar ritmet. GDP-ja në Greqi ka rënë me 3.5 për qind që prej të njëjtës periudhë të një viti më parë. Vendi helen është detyruar të bëjë shkurtime të konsiderueshme shpenzimesh që kur arriti kulmin e krizës ekonomike. Agjencia e statistikave, “ELSTAT”, ka deklaruar se reduktimi i ndjeshëm i shpenzimeve publike ka kontribuar në vartësinë e vendit nga recesioni. Ekonomistët janë shprehur se nuk habiten nga shifrat e publikuara dhe fajësojnë qeverinë për pasigurinë e masave antikrizë, që sollën dhe rënien e GDP-së. Nga kriza financiare në Greqi janë dëmtuar rëndë edhe biznesmenët. Rreth 15 për qind e tregtarëve me pakicë në Athinë kanë falimentuar muajt e fundit. Sipas një studimi të Lidhjes greke të tregtisë “ESEE”, posaçërisht ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në sektorin e tregtisë me pakicë janë goditur rëndë nga pasojat e krizës financiare në Greqi. Nga 3421 bizneset e zgjedhura përfaqësuese në pjesë të ndryshme të Athinës, 505 prej tyre apo ndryshe 14,8 për qind u desh të mbyllen që prej fillimit të krizës. Posaçërisht dyqanet e rrobave dhe të këpucëve kërcënohen nga falimentimi. Tregtarë në pjesë normale të qytetit kanë raportuar humbje më të larta, sesa tregtarët në rrugët e njohura për zhvillimin e tregtisë. Nga ana tjetër tregtarët në qendër të kryeqytetit janë prekur rëndë, për shkak se në atë pjesë muajve të fundit janë zhvilluar shumë protesta dhe demonstrata. Prandaj atje shkalla e falimentimit shtrihet prej 20 deri në 25 për qind. Ndërmarrjet që kishin arritur t'i mbijetonin humbjeve në të ardhura deri në 30 për qind që prej fillimit të krizës ekonomike në vitin 2008 kanë qenë të detyruara që gjatë muajve të demonstratave t'i mbanin të mbyllura dyqanet e tyre për pesë ditë rresht. Kryetari i Lidhjes së tregtarëve grekë “ESEE”, Vasilis Korkidis paralajmëroi se si rrjedhojë e mbylljeve dhe falimentimeve, tregu i punës do të ndodhet edhe më shumë në trysni. Në fund të prillit shkalla e papunësisë në Greqi ishte 11,9 për qind. Lidhja e tregtarëve grekë në një studim të mëhershëm kishte paralajmëruar se si pasojë e krizës në sektorin e tregtisë me pakicë mund të mbyllen rreth 100 mijë vende të punës. Greqia, sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar - FMN, pritet të pësojë gjatë këtij viti një tkurrje ekonomike prej 4 për qind ndërsa në vitin e ardhshëm edhe një tkurrje tjetër prej 2,5 për qind.

Sllovakia refuzon solidaritetin me Greqinë

Sllovakia ka refuzuar të kontribuojë me ndihma për Greqinë, duke u bërë vendi i parë në Eurozonë që solidarizohet me gjendjen e vështirë financiare të këtij vendi. Këtë e vendosi parlamenti sllovak në Bratislavë me shumicë të madhe. Komisioneri i BE-së për politikën monetare Oli Rehn, e kritikoi vendimin si shkelje të solidaritetit në grupin e euros. Vendimi për kreditë emergjente për Greqinë është marrë për të ruajtur stabilitetin financiar të të gjithë eurozonës, përfshirë edhe atë të Sllovakisë. Sjellja e Sllovakisë nuk i rrezikon megjithatë ndihmat financiare për Greqinë, tha Rehn. Në të njëjtën kohë parlamenti në Bratislavë miratoi pjesëmarrjen e vendit në fondin e shpëtimit për euron, i cili parimisht duhet t'u vijë në ndihmë të gjitha vendeve të eurozonës që kanë probleme me deficitet e buxheteve publike.

Rusi
Përmirësohet situata, minimizohen vatrat e zjarreve

Rusia ka njoftuar për një përmirësim të lehtë të situatës në zonat e përfshira nga zjarret. Numri i zjarreve dhe sipërfaqja e përfshirë nga flakët është reduktuar, citon agjencia “Interfax” drejtorin e qendrës kombëtare të krizës, Vladimir Stepanov. Në të gjithë vendin ka ende rreth 560 vatra zjarri në pyje dhe zonën me torfë. Prej tyre 60 janë zjarre të mëdha. Aktualisht sipërfaqja e përfshirë nga zjarret është rreth 80.000 hektarë, rreth 10.000 hektarë më pak se një ditë më parë. Në rajonet të cilat janë të ndotura me radioaktivitet që prej katastrofës së Çernobilit në vitin 1986, nuk janë regjistruar rritje të vlerave të rrezatimit.

SHBA
Dënohet me 14 vjet burg kuzhinieri i Osama Bin Ladenit

Ish-kuzhinieri i Osama Bin Ladenit, Ibrahim aq Qosi është dënuar nga një gjykatë ushtarake amerikane me 14 vjet burg. Sudanezi herë pas here punonte edhe si shofer i tij. Al Qosi mund të vuajë shumë më pak për shkak se dënimi është kufizuar nga një apel për marrëveshje, i cili mbetet sekret. Ai u deklarua fajtor muajin e kaluar në gjykatën për krime të luftës në Guantanamo, lidhur me akuzat për komplotim me Al Kaidën dhe sigurim të mbështetjes materiale për terroristët. Ende nuk bëhen të ditura detaje të tjera lidhur me këtë çështje.

Turqi
Qeveria hap hetimet për sulmin e forcave izraelite

Qeveria e Turqisë ka ngritur një komision për të zhvilluar hetimet e veta për sulmin e Izraelit ndaj flotës humanitare që lundronte për në Gaza, ku u vranë nëntë turq. Ministria e jashtme tha se komisioni do ta hetojë sulmin dhe trajtimin e aktivistëve përpara se të dalë me raportin. Raporti do t'i prezantohet komisionit ndërkombëtar të Kombeve të Bashkuara, i cili u krijua në fillim të gushtit. Izraeli ka kërcënuar se do tërhiqet nga komisioni i Kombeve të Bashkuara nëse ai insiston t'i ndëshkojë ushtarët izraelitë.

Pakistan
OKB-ja kërkon 460 milionë dollarë për përmbytjet

Kombet e Bashkuara apeluan për rreth 460 milionë dollarë ndihma urgjente për miliona viktimat nga përmbytjet në Pakistan. Kreu i operacioneve humanitare, Xhon Holms tha se të paktën 6 apo 7 milionë viktima kanë nevojë për ndihma urgjente. Zëdhënësi i Kombeve të Bashkuara në Pakistan tha se 14 milionë njerëz, përfshirë 6 milionë fëmijë janë prekur nga përmbytjet. Ndërkohë Shtetet e Bashkuara e kanë trefishuar numrin e helikopterëve për operacionet e ndihmave në Pakistan.

Portugali
Vendi rrezikohet nga zjarret masive, 2 zjarrfikës të vdekur

Zjarret masive kanë përfshirë pyjet dhe po përhapen në të gjithë Portugalinë duke lënë të vdekur dy zjarrfikës. 50 vatra zjarri janë verifikuar gjithsej në pjesën qendrore dhe atë veriore të vendit, bën të ditur agjencia e lajmeve “Reuters”. Ndërsa autoritetet lokale njoftojnë se 1500 zjarrfikës janë angazhuar për të vënë nën kontroll flakët. Deri tani rreth 18 mijë hektarë pyje dhe shkurre janë djegur, ndërkohë që temperaturat në këto zona kanë arritur në 40 gradë. Parku i vetëm kombëtar i Portugalisë, Peneda-Genes, në veri-perëndim të vendit, është një prej zonave të kërcënuara.

13 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›