Shtrenjtimi i bukës, ja si abuzojnë tregtarët me çmimin e miellit
“Pretendojnë se u është shtrenjtuar lënda e parë, por në fakt e gjitha kjo është një mashtrim i sajuar”. Ky është rezultati i aksioneve të dy ditëve të fundit të zhvilluara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe nga inspektoratet në varësi të Ministrisë së Ekonomisë, ndaj subjekteve të tregtimit dhe ambalazhimit të miellit. Blofin dhe mashtrimin e nxjerrin edhe bursat ndërkombëtare, të cilat nuk e kanë reflektuar menjëherë rritjen e çmimeve të miellit ashtu si pretendonin grosistët shqiptarë, bashkë me prodhuesit e bukës. Sipas të dhënave nga faqet on-line të bursave, çmimi i grurit u rrit të premten e kaluar në SHBA në nivelin më të lartë të dy viteve të fundit. Një shinin (35 litra) kushtoi 8,41 dollarë. Të hënën në mëngjes një shinin kushtonte vetëm 6,85 dollarë dhe çmimi mbeti në nivel të ulët. Sipas Gabor Vogel, analist i lëndëve të para në “DZ Bank”, "ndryshimet e çmimit në mbi shtatë dollarë kanë të bëjnë me spekulantët. Çmimi i ndershëm i grurit është te 6 dollarët. Çmimi 8,40 dollarë ishte i tepruar”. Por, në përgjigje të spekulatorëve shqiptarë kanë ardhur dhe rezultat e fundit të aksioneve nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, e cila ka zbuluar jo pak shkelje dhe abuzime me çmimet në treg. Nëpërmjet strukturave të saj, Drejtorisë së Hetimit Tatimor, sektorëve të zbatimit dhe drejtorive të verifikimit në terren, gjatë dy ditëve të fundit u zhvilluan kontrolle në subjektet e tregtimit me shumicë të miellit dhe furrave prodhuese të bukës. Qëllimi i kryerjes së këtyre kontrolleve, të zhvilluara në rang kombëtar, ka qenë verifikimi i çmimit të blerjes dhe shitjes së produkteve, pasi megjithëse çmimet e importit të grurit nuk kanë ndryshuar, në ditët e fundit u vu re një rritje e çmimit të bukës. Gjatë kontrolleve të ushtruara në 120 subjekte, në Tiranë dhe Durrës, u evidentuan 20 subjekte që kanë rritur në mënyrë fiktive çmimin e bukës. Për 27 subjekte u vendosen gjoba me vlerë 3.5 milionë lekë si dhe u sekuestruan 10 tonë miell i pashoqëruar me faturë.
Prodhuesit
Ndryshe nga sa deklaroi DPT-ja, prodhuesit e miellit hodhën dje poshtë akuzat për spekulim me çmimet. Ata thanë se, nëse do të kishin ndjekur ecurinë e bursës dhe kursin e këmbimit të dollarit me lekun, çmimi i miellit në tregun e brendshëm do të ishte shumë më i lartë. “Në një muaj çmimi në bursë është rritur me 75 për qind. Në tregun e brendshëm është rritur me vetëm 20 për qind për shkak se ne po përdorim rezervat për të amortizuar rritjen”, - thotë prodhuesi i miellit, Dimitrios Thomoglou. Sipas prodhuesve, kjo është një situatë e pazakontë, pasi për herë të parë çmimet po rriten me ritme të larta në mes të sezonit të korrjeve, një situatë e paprovuar më parë. “Ka dalë nga tregu furnizuesi kryesor i grurit me çmime të lira që është Rusia. Në gjithë botën prodhimi është ulur me 10 për qind që është shumë”,- thotë Thomoglou. Në fund, prodhuesit paralajmërojnë se çmimi i miellit në vend do të rritet sërish kur pritet të vijnë ngarkesat e reja, që janë blerë me çmime të rritura. Thatësira dhe zjarret masive në Rusi, si dhe ulja e prodhimit nga të gjitha vendet kryesore, po tronditin bursën e drithërave në botë, duke shkaktuar një rritje të shpejtë të çmimeve brenda pak kohësh.
Prodhimi vendas
Prodhimi vendas i grurit mbulon vetëm 10-15% të nevojave për grurë, ndërsa sasinë tjetër të tij, prodhuesit e miellit janë të detyruar që ta blejnë në tregjet ndërkombëtare duke iu nënshtruar ecurisë së bursës së drithërave. Kjo është njëra nga arsyet që citon Unioni i Tregtarëve Agroushqimorë, në një deklaratë të tij, mbi rritjen e detyrueshme të çmimit të bukës, e cila sipas këtij organizmi nuk është aspak abuzive dhe se prodhuesit e bukës nuk kanë të bëjnë aspak me një “pozicion monopolist në treg”. Nga ana tjetër, UTA përmend edhe faktin që falë investimeve të fuqishme dhe moderne në teknologjinë e prodhimit të miellit ushqimor, është bërë e mundur që në Shqipëri të mbahet çmimi më i ulët për 1 kg miell e për rrjedhojë, edhe për 1 kg bukë jo vetëm në krahasim me vendet europiane, por dhe me vendet fqinje si Kosova, Maqedonia, Mali i Zi etj. Në lidhje me çmimin e grurit, UTA sqaron se, “vetëm gjatë këtyre 3 javëve të fundit, çmimi në bursë i grurit është rritur, ndërsa prodhuesit vendas kanë amortizuar në mënyrë të ndjeshme rritjen e çmimit të grurit në tregun e bursës, pasi kanë shfrytëzuar sasinë gjendje të miellit që kanë pasur”.
Po i kontrollonte dyqanin, pronarja godet inspektoren e Tatimeve
Një ngjarje aspak e zakontë ka ndodhur në qytetin e Korçës, ku një inspektore tatimesh është sulmuar nga një pronare dyqani pasi ishte duke ushtruar kontroll brenda tij. Lajmi raportohet nga burimet policore të Korçës, sipas të cilave, ato kanë filluar procedimin penal në gjendje të lirë për Enverije Frashërin, 53 vjeçe, banuese në këtë qytet. Kjo pasi, në dyqanin me artikuj të ndryshëm, i cili figuron në pronësi të saj, ka fyer dhe goditur për shkak të detyrës, inspektoren e Drejtorisë Tatimore në Korçë, B. Merkuri, 32 vjeçe, e cila po inspektonte dyqanin në fjalë. U kryen veprimet procedurale për veprën penale të “goditjes për shkak të detyrës” dhe “fyerje për shkak të detyrës”, parashikuar nga nenet 237 dhe 239 të Kodit Penal, ndërsa materialet iu kaluan prokurorisë së Korçës për hetime të mëtejshme.
Asnjë kokërr gruri nuk duhet të dalë nga Rusia
Asnjë kokërr gruri nuk duhet të dalë nga Rusia, në mënyrë që çmimet të mos rriten aq sa rusët të mos blejnë dot ushqime. Në Rusi vazhdojnë djegiet e sipërfaqeve të tëra. Kjo ka pasoja për ekonominë, sepse aty ku ka zjarr nuk rritet më gruri. Prandaj kryeministri Vladimir Putin vendosi javën e kaluar ndalimin e eksporteve të drithërave. Analistët e lëndëve të para thonë se gjendja nuk është aq dramatike. Në një afat të mesëm çmimet janë të qëndrueshme dhe pritet madje të ulen. Ralf Südhoff është i alarmuar. Zëdhënësi i Programit të Kombeve të Bashkuara për ushqimin, trembet se ushqimet nuk do të mund të blihen më prej të varfërve. Dy vjet më parë kjo ndodhi. Një miliardë njerëz të botës vuajtën në atë kohë nga uria. Kjo nxiti trazirat sociale në vendet e hemisferës së Jugut. Faktikisht, çmimi i grurit u rrit të premten e kaluar (06.08) në SHBA në nivelin më të lartë të dy viteve të fundit. Një shinin (35 litra) kushtoi 8,41 dollarë. Ky çmim ishte dyfish më i lartë se muajin e kaluar. Kjo shkaktoi rënien më të madhe të kursit në 14 vitet e fundit. Të hënën në mëngjes një shinin kushtonte vetëm 6,85 dollarë dhe çmimi mbeti në nivel të ulët. “Një shenjë e sigurt për spekulimet me çmimet”,- thotë Gabor Vogel, analist i lëndëve të para në “DZ Bank”. "Ndryshimet e çmimit në mbi shtatë dollarë kanë të bëjnë me spekulantët. Çmimi i ndershëm i grurit është tek 6 dollarët. Çmimi 8,40 dollarë ishte i tepruar”. Vogel, është i sigurt se kësaj here është ndryshe nga kriza e 2008-ës. Atëherë çmimi i grurit arriti 13 dollarë për shini. Vogel mendon se ka mundësi që duke pasur parasysh klientët që ka Rusia mund të ndryshojë vendimin që ka marrë për ndalimin e eksporteve. Çmimet e larta të ditës së premte nuk kanë pasur të bëjnë me parashikimet për të korrat më të mira të drithërave në SHBA dhe Australi. Australia është eksportuesi i pestë për nga madhësia i drithërave në botë, kurse SHBA eksportuesi më i madh. Në të dyja vendet fermerët njoftojnë për kushte optimale të korrash: "Edhe nëse eksportet ruse ndalohen, vakuumin e krijuar mund ta mbulojë menjëherë SHBA-të". Vogel nuk pret rritje të çmimit të drithërave. Në SHBA një shinin kushton 7,31 dollarë dhe sipas analistëve të lëndëve të para çmimi ka mundësi që të bjerë edhe më shumë.
FAO: Rezervat lehtësojnë krizën e drithit
Vende të ndryshme të botës janë përfshirë nga moti ekstrem. Pakistani, Kina, por edhe Afrika Perëndimore, janë prekur nga reshje shiu që kanë shkaktuar përmbytje dhe dëme të mëdha. Ndërkohë që Rusia është prekur nga temperatura të larta. E gjithë kjo situatë duket se po krijon një krizë globale për prodhimin e drithit. Gjendja në disa rajone të botës është emergjente dhe në disa tregje çmimi i drithërave është rritur, çka ka sjellë edhe shtrenjtimin e çmimit të bukës, por me gjithë gjendjen e vështirë, nga zyrtarë të OKB-së vijnë sinjale optimiste për të ardhmen. Eksperti i ekonomisë në Agjencinë e OKB-së për ushqimin (FAO) në Romë, Abdol Reza Abassian, ka deklaruar se gjendja e krijuar e krijuar mund të sjellë vështirësi serioze. "Kur flitet për rezerva ushqimi, rezervat e grurit që është ushqim i rëndësishëm, gjendja është emergjente në një vend të rëndësishëm ku prodhohen drithëra, Rusia, që do të thotë se shumë rezerva që u krijuan gjatë viteve, tani pritet që të konsumohen",- theksoi Abbassian, duke shtuar se do të ketë rënie të rezervave deri në fund të sezonit, deri në fund të vitit 2011. Ndërkohë, kjo gjendje ka sjellë edhe reflektim në treg dhe rënia e prodhimit të drithërave po bën që çmimet të rriten.
13 Gusht 2010